I vë flakën gruas me benzinë pas grindjes së ashpër
Një ngjarje e tmerrshme ka ndodhur pasditen e kësaj të shtune në qytetin e Korçës, ku një burrë ka tentuar të djegë bashkëshorten e tij me benzinë. Sipas raportimeve nga policia, Bledar Trëndafili 45-vjeç, ka lyer me benzinë gruan e tij Melisa Trëndafili 31-vjeçe, dhe i ka vënë zjarrin.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 16:30, kur Bledari ka shkuar papritur në banesën e bashkëshortes. Pas një debati të ashpër, ai ka ndërmarrë këtë akt të rëndë ekstremist. Pas sulmit, Bledari është larguar me shpejtësi dhe është arratisur. Deri më tani, policia nuk ka mundur ta kapë dhe ai është në kërkim.
Melisa Trëndafili ka pësuar lëndime të shumta trupore nga flakët dhe është dërguar me urgjencë në spitalin e Korçës. Aktualisht, ajo është nën kujdesin e mjekëve dhe ndodhet në një gjendje të rëndë. Çifti ishte në proces divorci në momentin e ngjarjes.
Një dëshmitar që ka qenë në vendin e ngjarjes e ka ndihmuar atë në shuarjen e flakëve dhe ka treguar për tmerrin që ka përjetuar:
“Kam parë një burrë që në mes të rrugës, pranë shtëpisë sime, ka spërkatur me benzinë një grua dhe më pas i ka vënë flakën. Gruaja e tmerruar ka trokitur në portën e shtëpisë time dhe së bashku me bashkëshorten e kam ndihmuar të fikim zjarrin. I kemi hequr të gjitha rrobat nga trupi dhe e kemi zhveshur, por plagët ishin të mëdha dhe pothuajse gjithë trupi ishte i lënduar. Kemi lajmëruar menjëherë policinë dhe ambulancën, të cilët erdhën shpejt në vendin e ngjarjes.”
Policia po vazhdon hetimet për të kapur autorin e këtij sulmi të rëndë dhe për të zbardhur të gjitha detajet e ngjarjes./tvanews