Lidhje


Mbahet sërish protestë para Bashkisë së Tiranës

Në Shqipëri vazhdojnë protestat për të "denoncuar rastet e korrupsionit në Bashkinë e Tiranës" dhe me kërkesën për dorëheqjen e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, raporton Anadolu.

 

Protesta e 25-të është organizuar nga partitë opozitare, Partia Demokratike e Shqipërisë (PD) dhe Partia e Lirisë (PL), si dhe përfaqësues të shoqërisë civile, me pjesëmarrjen e dhjetëra qytetarëve, si dhe aktivistëve.

 

Zëvendëskryetari i Këshillit Bashkiak të Tiranës dhe përfaqësuesi i PD-së, Dorjan Teliti, në fjalën e tij gjatë protestës u shpreh se nuk tërhiqen nga protestat.

 

"Këtu kemi qenë prej 25 javësh, këtu jemi sot dhe këtu do të jemi çdo javë deri në arritjen e objektivit kushtetues, qytetar dhe moral të njerëzve të ndershëm të Tiranës", u shpreh Teleti.

 

Teliti theksoi më tej se duan një Shqipëri me drejtësi dhe shtoi se "drejtësia do të bëhet nga qytetarët".

 

Ish-deputeti i PD-së, Belind Këlliçi, u shpreh në fjalën e tij se do të vijojnë protestën dhe qëndresën. "Beteja që ne bëjmë nuk bëhet për Partinë Demokratike, bëhet për çdo qytetar të Tiranës", tha Këlliçi.

 

Për mbarëvajtjen e protestës u angazhuan dhjetëra forca policore para godinës së Bashkisë së Tiranës, ndërkohë disa protestues bllokuan për një kohë qarkullimin e automjeteve.

 

Në Shqipëri në muajit e fundit janë organizuar protesta për të "denoncuar rastet e korrupsionit në Bashkinë e Tiranës", ndërsa disa protesta janë shoqëruar edhe me tensione dhe përplasje me forcat e policisë.

 

Protestat organizohen pas arrestimit në fund të muajit mars të këtij viti të disa ish-zyrtarëve të Bashkisë së Tiranës, të akuzuar për veprat penale "korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike" dhe "refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive"./AA

XS
SM
MD
LG