Lidhje


Dekonspirimi I Operacionit Për Çopjat, SPAK Nis Hetime, 3 Drejtorë Policie Në ‘Sitë’

Largimi dhe mosrënia në prangat e policisë, e disa prej eksponentëve të botës së krimit që kanë bashkëvepruar me organizatën kriminale të drejtuar nga vëllezërit “Çopja”, ka sjellë nisjen e një hetimi nga prokuroria dhe BKH-ja për nxjerrje të sekretit hetimor.

 

Kjo është një taktikë e përsëritur që SPAK kryen mbi drejtuesit e Policisë së Shtetit, me dyshime se mund të kenë nxjerrë sekretin hetimor përpara se vendimi i gjykatës t’i vihej në ekzekutim.

 
 

Ikja e Çopjave dhe shumë emrave të tjerë që ndodheshin në atë vendim për t’u arrestuar, ka angazhuar prokurorin Behar Dibra, i cili njëlloj si me rastin e gazetarit e “Ora News” Elton Qyno, ka vendosur të hapë një hetim për “nxjerrjen e sekretit hetimor”.

 

Në vazhdën e këtij hetimi, oficerë të Byrosë Kombëtare të Hetimit, kanë shkuar me urgjencë në zyrën e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku, duke i sekuestruar aparatin e telefonit, me dyshimin se informacionet dhe emrat e operacionit të nisur nga SPAK kundër grupit “Çopja”, mund të kishin dalë prej tij.

 

Rrumbullaku ka dorëzuar telefonin, ndërsa pas tij agjentët e BKH-së i kanë marrë telefonin dhe këqyrur e-mailin një zyrtari tjetër të lartë të Policisë së Shtetit, i cili ja kishte dërguar me e-mail vendimin e gjykatës disa prej drejtuesve të Forcës Operacionale dhe Drejtuesit të Policisë së Elbasanit.

 

Punonjësve të policisë që u ka shkuar ky e-mail i dërguar nga zyrtari i lartë në drejtorinë qendrore, u janë marrë telefonat dhe këqyrur adresat postare elektronike, me shpresën e gjetjes së personit që kishte nxjerrë informacionin, përpara se SPAK të ndize dritën jeshile për ekzekutimin e vendimit.

 

Të gjithë emrat kishin dalë dhe pjesa dërmuese e personave përfshirë dhe biznesmenët që duhet të arrestoheshin, ishin larguar. Ndërkohë emrat në mesditë u publikuan.

 

Ky nuk është rasti i parë që SPAK, hap hetim për nxjerrje sekreti, apo qoftë dhe publikim i akteve sekrete, pasi janë dhe 4 procedime të tjera të kësaj natyre.

 

Nën dyshimin e dekonspirimit të operacionit të arrestimit të anëtarëve të grupit Çopja në Elbasan, Prokuoria e Posaçme, ka sekuestruar një sërë aparatesh telefonikë të disa prej drejtuesve kryesorë të Policisë së Shtetit dhe asaj lokale.

 

Një prej drejtuesve të tjerë të policisë, të cilit i është sekuestruar telefoni në kuadër të operacionit të fundit të SPAK-ut, mësohet se është Ilir Proda.

 

Nga 33 urdhër arreste të miratuara nga Gjykata e Posaçme, me kërkesë të SPAK, u ekzekutuan vetëm 13 prej tyre, dy prej të cilëve të arrestuar më herët për vepra të tjera penale. Për disa prej këtyre shtetasve që sot janë në arrati, kishte të dhëna që ndodhen në Shqipëri, por me dyshimet se janë informuar, nuk është arritur të kapen.

 

Një hetim i nisur prej vitit 2022 ndaj vëllezërve Franc dhe Hajdar Çopja nga Elbasani, iniciuar dhe nga dëshmitë e bashkëpunëtorëve të drejtësisë Erion Alibej e Nuredin Dumani, ka çuar SPAK në zbardhjen e disa vrasjeve, atentateve e grabitje.

 

Franc e Hajdar Çopja dyshohet të jenë krerët e grupit kriminal që fshihet pas vrasjeve si pasojë e përplasjeve mes grupeve, me qëllim sundimin e trafikut të kokainës në Europë. E konkretisht bëhet fjalë për përplasjen mes grupit Çopja dhe Alibej./albeu.com

XS
SM
MD
LG