Lidhje


Bektashinjtë e duan shtetin sovran/ Baba Mondi: Nisma, historike. Një epokë e re për tolerancën fetare globale

“Me një vendim të posaçëm të Mbretit Zog në vitin 1931, selia e Shenjte Botërore Bektashiane u vendos në Tiranë. Që nga ajo kohë, kjo hapësire që shtrihet në pjesën lindore të kryeqytetit është vend i shenjtë për bektashinjtë, të cilët kryejnë ritualet shpirtërore të besimit të tyre. Deri me sot Kryegjyshata botërore funksionon si organizatë jo politike dhe jo shtetërore. Por në një të ardhme mbi këtë kodër nga ku mund të shohësh me sy të lirë pjesën më të madhe të kryeqytetit, do të ketë kufijtë, administratën shteti i ri, që për nga sipërfaqja do të jetë më i vogli në botë.”

 

Në një reagim zyrtar këtë të diel, kryegjyshata botërore, mbështet nismën e krijimit të një shteti sovran, duke e cilësuar si hap historik për tolerancën fetare.

 

“Selia Botërore e Bektashinjve mirëpret shpalljen e nismës së jashtëzakonshme për krijimin e Urdhrit Bektashi si një entitet plotësisht sovran, duke sjellë një epokë të re për tolerancën fetare globale dhe promovimin e paqes. Ky hap historik synon të njohë Urdhrin Bektashi si një shtet të pavarur, vetëqeverisës, i përkushtuar për të mbështetur traditën e tij shekullore të moderimit dhe përfshirjes shpirtërore”

 

Kreu i bektashinjve, Haxhi Dede Edmond Brahimaj thekson se nisma themelimin e shtetit, synon nxitjen e dialogut ndërfetar dhe kundërshtimin e ekstremizmit.

 

“Kjo nismë nuk ka të bëjë me vetëvendosjen; as nuk po kërkojmë ndikim apo pushtet politik. Në vend të kësaj, ne po kërkojmë lirinë për të vazhduar traditën tonë shekullore të moderimit shpirtëror dhe përfshirjes fetare”.

 

Por si do të funksionojë shteti i bektashinjve?

 

“Si ent shpirtëror, shtetësia në shtetin e ri sovran të Urdhrit Bektashi do të kufizohet vetëm tek anëtarët e klerit dhe individët e angazhuar në administrimin e shtetit. Qeverisja e shtetit do të udhëhiqet nga udhëheqja shpirtërore e Urdhrit, me Kryegjyshin (Dedebaba) dhe një këshill që do të mbikëqyrë funksionet fetare dhe administrative. Ndryshe nga sa është aluduar në media, shteti i ri nuk do të ketë asnjë synim tjetër veç udhëheqjes shpirtërore.

 

Në kryegjyshatën botërore të bektashinjve në Tiranë, këtë të diel besimtarët ishin të shumtë, ku secili bën lutjet dhe ndez qirinj, në vendet e posaçme.

 

Gjithçka duket normale, një ditë pas lajmit të propozuar se bektashinjtë do të kenë shtetin e tyre brenda kryeqytetin shqiptar.

 

I ngjashëm me urdhrin sovran te Maltës dhe që pritet të marrë emrin, “Shteti Sovran i Urdhrit Bektashi”, shihet si një nismë pozitive.

 

“Mendoj se është diçka e mirë, do të ndikojë për mirë. Ju do ta donit një pasaportë të shtetit të ri? Patjetër që do ta pranoja.”, tha një besimtar.

 

“Do të shërbente edhe për turizmin. I jep zgjidhje dhe çështjes së pronave.”, shtoi një tjetër.

 

Nëse do të realizohet, shteti i ri do të shtrihet në një sipërfaqe prej 27 hektarësh./abcnews.al

XS
SM
MD
LG