150 milionë jashtë bankave, "paratë e pista" pushtojnë ekonominë
Sunday, 29 September 2024 12:05
Ekonomia shqiptare po përballet me një fenomen shqetësues: rritjen e ndjeshme të parave në dorë jashtë sektorit bankar. Shifrat e fundit të publikuara nga Banka e Shqipërisë tregojnë se nga janari deri në gusht të këtij viti, qarkullimi i parasë jashtë bankave është rritur me 15.5 miliardë lekë, që përkthehet në afro 150 milionë euro. Në fund të muajit gusht, jashtë bankave po qarkullonin 403.8 miliardë lekë, krahasuar me 388.3 miliardë lekë që ishte në fillim të vitit.
Kjo rritje e nivelit të parasë fizike ngre shqetësime në lidhje me informalitetin në ekonomi dhe përdorimin e "parave të pista". Pagesat me para në dorë vijojnë të mbizotërojnë, pavarësisht përpjekjeve për të ulur këtë praktikë, sidomos për shkak të mundësisë së përdorimit të këtyre parave për fshehje të burimeve jo të ligjshme.
Si kundërpërgjigje ndaj këtij fenomeni, qeveria pritet të ndërmarrë masa më të rrepta për të kufizuar pagesat me para në dorë, duke përfshirë qytetarët, për të cilët ende nuk ka kufizime të qarta. Aktualisht, bizneset e kanë të ndaluar të kryejnë pagesa me para në dorë mbi 150 mijë lekë. Një propozim i Shoqatës së Bankave sugjeron që ky tavan të kufizohet në 750 euro për qytetarët, dhe çdo pagesë mbi këtë shumë të kryhet përmes bankave.
Ky ndryshim pritet të ndodhë deri në vitin 2026, si pjesë e një përpjekjeje më të gjerë për të formalizuar ekonominë dhe për të kontrolluar qarkullimin e parasë fizike. Komisioni Evropian ka mbështetur gjithashtu kufizimin e pagesave me para në dorë, si një mënyrë për të luftuar informalitetin dhe për të parandaluar fshehjen e të ardhurave të paligjshme./JOQ