Ç’po ndodh? Pse institucionet e drejtësisë po i thonë “JO” komisionit Xhafaj
Ditët e fundit po vërehet një anomali për një regjim, ku gjithçka që del në publik është koordinuar më parë mes institucioneve. Edhe Gjykata Kushtetuese edhe ajo e Lartë e së fundi edhe SPAK kanë refuzuar në forma të ndryshme ftesën për të marrë pjesë në komisionin një ngjyrësh, që njihet me emrin e kreut të tij, deputetit socialist Fatmir Xhafaj.
Komisioni parlamentar me emër të stërgjatë “Për Thellimin e Reformave për Mirëqeverisjen, Sundimin e Ligjit, dhe Antikorrupsionin për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Evropian”, që u ngrit në fillim të qershorit, shpalli se do të të ketë si prioritete “koordinim e mëtejshëm të tre pushteteve kushtetuese, legjislativit, ekzekutivit, gjyqësorit”, për të përshpejtuar integrimin e vendit në BE.
Por shumë vëzhgues dhe kritikë i ranë borive të alarmit se kjo po bëhet për të thelluar kapjen e drejtësisë dhe neutralizimin e SPAK. Frikën se pas gjithë kësaj lëvizje ekziston një plan i fshehtë e shumëfishuan në maj edhe qëndrimet diplomatike të vendeve kryesore të perëndimit, ambasadorët e të cilëve në mënyrë të koordinuar deklaruan se “reforma në drejtësi nuk duhet të preket“.
Por gjithçka u bë më e koklavitur, këtë shtator, kur edhe ambasada e BE edhe ajo e SHBA shpallën se do të dërgonin përfaqësuesit e tyre pranë komisionit të veçantë parlamentar. Ndërsa tani, sërish një kthesë, pasi institucionet e drejtësisë së re reaguan në unison duke bërë me dije se nuk do të bëhen pjesë e aktivitetit të komisionit Xhafaj.
Fillimisht Gjykata Kushtetuese me anë të kryetares së saj pohoi se nuk do pranonte të bëhej pjesë e mbledhjes. Holta Zaçaj tha se “Ne nuk marrim pjesë në aktivitete ligjbërëse”, duke shtuar se nuk do të dërgojë as ekspertë dhe përfaqësues.
Këtë të enjte të njëjtin qëndrim, por më të detajuar mbajti edhe SPAK, që me anë të një komunikate bëri me dije se në mënyrë unamime të gjithë prokurorët kishin vendosur për mospjesmarrje. “Në mënyrë unanime të gjithë Prokurorët e Posaçëm nuk e konsideruan të nevojshme pjesëmarrjen me ekspert në këtë Komision, pasi vlerësuan se tashmë institucioni ynë i ka përmbushur detyrimet ligjore për bërjen publike të problematikave të hasura gjatë ushtrimit të funksioneve të tij duke përfshirë këtu dhe nevojat për ndryshime ligjore përkatëse”, thuhej në deklaratën e SPAK, ku ishte gjetur një alibi jo shumë bindëse për ti thënë “JO” ftesës së komisionit Xhafaj.
Një tjetër përgjigje mohuese ka bërë edhe Gjykata e Lartë përmes një letre të kreut të saj. Ajo e ka argumentuar refuzimin e ftesës me mospërpuethshmërinë e misionit të gjyqtarit me ftesën që i bëhet. “Duke mbajtur parasysh këtë funksion të Gjykatës së Lartë në raport me pushtetet e tjera, vlerësojmë se kërkesa Juaj për pjesëmarrjen e drejtpërdrejtë të gjyqtarëve të kësaj Gjykate si anëtarë të një nëngrupi teknik, në varësi të Grupit të Ekspertëve të Nivelit të Lartë të Komisionit të Posaçëm, që duhet të kryejnë detyrat e caktuara sipas vendimmarrjes së Komisionit, nuk përshtatet me funksionin dhe misionin e gjyqtarit. Si e tillë, nga ana jonë nuk vlerësohet si zgjidhje e përshtatshme në përmbushje të misionit të Komisionit të Posaçëm”, ka shkruar Sokol Sadushi, i cili ndryshe nga kolegët e tij ka bërë një lëshim, duke caktuar tre këshilltarë që do të marrin pjesë në komision. Po të njëjtin qëndrim mohues ka mbajtur edhe Inspektorati i Lartë i Drejtësisë (ILD).
Atëhere pyetjet që lindin janë: Si ka mundësi që këto institucione që i janë përkulur deri në dhimbje tekave të qeverisë, po e sfidojnë këtë herë mazhorancën? Si kanë marrë guximin ta bëjnë këtë, kur dihet që vetë Edi Rama është angazhuar me mish e me shpirt për shpënien përpara të kësaj nisme dhe kur deputetët e tij në Kuvend votuan me 76 vota një rezolutë, tashmë të njohur me emrin antikorrupsion për ngritjen e këtij komisioni? Pse katër institucione të drejtësisë po thonë “JO”, aq më tepër që pjesëmarrjen në komision e ka konfirmuar edhe ambasada e BE dhe SHBA?
Në fakt, këto të fundit kanë këmbëngulur fort që edhe opozita të jetë prezente në këtë komision për të pasur një lloj balance dhe kontrolli. Pasi nuk arritën dot ta bindnin PD, ato vendosën të merrnin vetë pjesë si vëzhhgues për të vigjiluar që reforma në drejtësi mos preket pa lejen e tyre.
Por ama, nga ana tjetër duket se janë ato që kanë frymëzuar bojkotin e SPAK dhe gjykatave më të rëndësishme të vendit, për t’i thënë jo Ramës. Sepse mund ta pranojnë komisionin për të forcuar ndonjë masë kundër korrupsionin siç pretendohet, por duke dashur gjithashtu të delegjitimojnë çdo ndërhyrje në institucionet e drrejtësisë me bekimin e këtyre të fundit.
Kështu shpjegohet edhe anomalia e rreshtimit të katër institucioneve më të rëndësishme të drejtësisë kundër një projekti të Edi Ramës. Frymëzimi i tyre ka ardhur nga jashtë. Mes kësaj anomalie ka edhe një hipotezë tjetër që ngjan të jetë jo shumë larg së vërtetës. Qeveria, institucionet e drejtësisë dhe ndërkombëtarët i kanë krejt të rakorduara mes tyre këto lëvizje. Pra, refuzimi në bllok i SPAK, Gjykatës së Lartë, Gjykatës Kushtetuese dhe ILD, është bërë enkas sa për të forcuar imazhin e rremë të drejtësisë së pavarur nga mazhoranca socialiste. Kështu forcohet edhe alibia amerikane se “heronjtë e fëmijëve tanë” po bëjnë një punë të jashtëzakonshme për pavarësinë e drejtësisë nga politika.-Lapsi.al