Strategjia e re për të vjelur të ardhura/Kush ka 2 ose më shumë banesa do paguajë taksë më të lartë! Tatim edhe grupet vulnerable
Qytetarët që kanë më shumë se një banesë në pronësi do të paguajnë taksë pasurie më të lartë, kështu shprehet Ministria e Financave në strategjinë afatmesme të të ardhurave. Po ashtu sqarohet se ligji i ri i taksës së pasurive të paluajtshme do të përfshijë të gjithë qytetarët, edhe kategoritë vulnerabël. Këto rishikime thuhet në strategji bëhen për të rritur të ardhurat në buxhet.Kush ka një shtëpi të dytë apo të tretë, duke filluar nga viti 2026, do të paguajë taksa më të larta. Qeveria ka parashikuar që në vitin e ardhshëm të miratojë ligjin e ri për taksën mbi pasuritë e paluajtshme.
Nga shifrat rezulton se një në tre banesa ose mbi 356 mijë të tilla janë bosh në të gjithë territorin e vendit. Kjo sipas ekspertëve ka shumë arsye, nga emigrimi, blerja e shtëpive të pushimit edhe për shkak se shumë qytetarë në vend kanë në pronësi dy ose më shumë prona.
“Këto të ardhura do të sigurohen nëpërmjet rishikimit të sistemit tatimor mbi këto pasuri, rritjes së eficiencës së Kadastrës Tatimore, si dhe rishikimit të përjashtimeve të shumta nga këto taksa, përfshirë edhe rishikimin e tarifës së taksës për kategori të caktuara rezidenciale apo disponim të pasurive rezidenciale të dyta dhe të treta”, thuhet në strategji e Ministrisë së Financave 2024-2027.Në strategjinë afatmesme të të ardhurave thuhet gjithashtu se nga kjo taksë nuk do të përjashtohet asnjë kategori, madje edhe grupet vulnerabël do ta paguajnë, pasi kompensimi i tyre do të bëhet në një formë tjetër.
“Duke qenë se të ardhurat nga taksa mbi pasuritë e paluajtshme përbëjnë burimin kryesor të të ardhurave të pushtetit vendor, është e nevojshme që përjashtimet të mbahen në nivele minimale dhe ndërkohë, lehtësirat tatimore për grupet vulnerabël duhet të ofrohen nëpërmjet mekanizmave dhe formave të tjera”, thuhet në strategji.
Përmes këtyre ndryshimeve Ministria e Financave thotë se do të garantohet rritja e të ardhurave nga kjo taksë.
“Aktualisht, taksa mbi pasuritë e paluajtshme në Shqipëri kontribuon në masën 0.3% të PBB-së, ndërkohë që të ardhurat mesatare që gjenerohen nga taksa e pronës në vendet e tjera të rajonit janë rreth 0.8% e PBB-së”, thotë Ministria e Financave.
Në 8 muajit e vitit buxheti i shtetit ka përfituar nga taksa e pasurisë afro 55 milionë euro, nga 41 milionë euro që ishte vlera vjet e arkëtuar vjet.
Taksimi i ndërtesave bazuar me vlerën e tregut ku do merren për bazë çmimet e reja të referencës pritet të zbatohet nga viti 2026. Pas Tiranës që ka çmimet e reja referuese nga vjet, ka nisur puna për vlerat e reja të referencës në të gjithë vendin.
Puna për taksën e re të pronës ka nisur që vitin e shkuar, pasi u hodh në konsultim publik projektligji për taksimin e pasurive të paluajtshme, në të cilin parashikohet që taksa për ndërtesën të variojë nga 0.1% -0.2% e vlerës së saj, nga 0.05% që është aktualisht, pra nga dy deri në katërfishim. Edhe pse ende nuk është konkretizuar në draft thuhej se për banesën e parë, qytetarët përfitojnë zbritje nga taksa.
BANESAT NË SHQIPËRI/CENS 2023
Të banuara 726.325 banesa
Bosh 356,204 banesa
Në total 1.082.529 banesa