Lidhje


'Teoria tronditëse' e kryebashkiakut vlonjat, Ermal Dredha, 'përmbytjet ndodhin sepse bie shi'!

Në një deklaratë epike që pritet të shpallet si teori e re shkencore, kryebashkiaku i Vlorës, Ermal Dredha, na zbuloi një të vërtetë tronditëse: përmbytjet ndodhin sepse bie shi! Po, e lexuat drejt. Ai na shpjegoi që përmbytjet e fundit kanë ardhur pasi 180 mm shi, që zakonisht bie për një muaj, vendosën të derdheshin në vetëm 3 orë. Ky shi, i cili natyrisht, është përgjegjës për gjithçka, ka krijuar atë që kryebashkiaku quajti “efektin vaskë” në zona që, sipas tij, janë të ulëta. Logjika brilante këtu është që zonat më të ulëta mbledhin ujë – një mister që, me sa duket, askush s'e kishte kuptuar më parë.

 

Por, ironia nuk mbaron këtu! Hidrovori i Vlorës, një institucion heroik që ka punuar me kapacitet të plotë, ka luftuar trimërisht kundër prurjeve të shiut, edhe pse, sipas vetë kryebashkiakut, pompat janë paksa të vjetra. "Duhet parë mundësia për t’i zëvendësuar," pranoi ai. Ndërkohë që një mendje e thjeshtë mund të pyesë: Pse nuk janë bërë këto investime më parë? Dredha, si një kryebashkiak me vizion, duket se e ka ditur për këtë nevojë, por investimet pse nuk janë bërë? Ah, ndoshta këto janë gjëra që planifikohen për kohë më të përshtatshme, ndoshta kur reshjet të kenë mbaruar krejtësisht.

 

Pra, ndonëse shiut ia ka lënë fajin për përmbytjet, mbetet një pyetje që na lë të habitur: nëse e dinte që duhen zëvendësuar pompat dhe se zona ka probleme me disnivel, pse nuk u morën masa më parë? 

 

Gjithsesi banorët e Vlorës mund të jenë të qetë, sepse kryetari ka gjithçka nën kontroll... përveç shiut, natyrisht./JOQ

XS
SM
MD
LG