Lidhje


Samir Mane në dosjen e pastrimit të parave të familjes Berisha, pronat që i shiti Argitës dhe Jamarbrit nuk janë…

Pas zgjerimit të familjes Berisha me apartamente e garazhe, fshihet një histori klientelizimi me hije korrupsioni, detajet e të cilës janë zbuluar nga Prokuroria e Posaçme. Protagonistë janë Argita Berisha-Jamarbër Malltezi dhe oligarku Samir Mane, ky i fundit një nga përfituesit më të famshëm të pasurive publike dhe ndereve politike që nga koha kur Sali Berisha ishte kryeministër. Gazeta “SOT” ka nxjerrë me fakte se si Sali Berisha, gjatë pushtetit 2005-2013, përdori qeverinë e tij dhe Parlamentin, duke kaluar në duart e Samir Manes për shfrytëzim privat pasuri natyrore publike, koncesione, tendera, pra gjithçka që prodhon para në Shqipëri.

 

Dosja e SPAK

 

Nga hetimet që SPAK ka bërë për aferën “Partizani”, e cila bëri që prokurorët të fusnin nën skaner pasuritë e familjes “Berisha”, dalin disa fakte që ngrenë dyshime të forta për lidhjet e ish-kryeministrit me Samir Manen. Prokurorët specialë evidentojnë në të dhënat konfidenciale se në deklaratën për vitin 2009 Jamarbër Malltezi deklaron Apartament 196 m2 + garazh blerë nga kompania Mane TCI, e cila është në pronësi të oligarkut Samir Mane. Por nga aktet konstatohet se kontrata e sipërmarrjes është lidhur më datë 30.03.2010. Pra një vit më vonë. “Në deklaratën për vitin 2009, shtetasi Jamarbër Malltezi (si person i lidhur me shtetasin Luan Malltezi) deklaron: Apartament 196 m2 + garazh blerë nga komp. Mane TCI… Tek të dhënat konfidenciale deklaron: Sqarim lidhur me ap e blera dhe deklaruar në faqen 10. Ap 196 m2 (bashkim dy pjesësh përkatësisht 110 dhe 86 m2) dhe garazh blerë nga kompania Mane TCI nr. 2955 rep 585 kol-204 000 euro…

 

 

Në fakt, nga aktet konstatohet se kontrata e sipërmarrjes është lidhur me nr 2955 rep nr 585 kol datë 30.03.2010 ndërmjet shoqërisë Mane TCI dhe shtetasit Jamarbër Malltezi ku ky i fundit në cilësinë e porositësit. Sipërmarrësi, sipas kësaj kontrate, merr përsipër të ndërtojë për porositësin kundrejt pagesës apartamentin e ndodhur në katin e 5 të banimit me nr 27 dhe 28 me sip banimi 196.3 m2 dhe përbërje 4+1 në kuotën + 16.85 m2 sipas planimetrisë dhe garazhin e ndodhur në katin – 1 nëntokë me nr 18 dhe që ka një sip prej 15 m2. Sipas nenit 2 është përcaktuar se çmimi është për apartamentin 1 150 euro/m2 dhe për garazhin 805 euro/m2 që në total përbëjnë shumën 237 820 euro. Çmimi do të paguhet: 65 % e vlerës ose 154 583 euro me nënshkrimin e kontratës; 78 237 euro me dorëzimin e çelësave të apartamentit dhe 5 000 euro nga dorëzimin e hipotekës. Pagesat do të kryhen në llogarinë bankare në euro pranë Intesa San Paolo ose pranë Raiffeisen”, thuhet në dosjene SPAK.

 

Pagesat

 

SPAK ka zbardhur pagesat që ka deklaruar Malltezi për apartament tek Ambasador 2, godinë e cila është ndërtuar nga Samir Mane. “Në deklaratën për vitin 2012 shtetasi Jamarbër Malltezi deklaron: Pagesë finale e detyrimeve për apartament tek Ambasador 2-12 040 euro. Në vitin 2012, shtetasi Jamarbër Malltezi ka kryer pagesë për punime ndërtimi dhe sipërfaqe të përbashkëta të apartamentit blerë tek Ambasador 2, Mane TCI shpk 12,040 euro (1,682,228.8 lekë), pagesa në datën 30.11.2012 në llogarinë Intesa Sanpaolo 40201835102 euro”, thuhet në dosjen e SPAK.

 

 

Fshehja e pasurisë

 

Një tjetër detaj që evidenton SPAK është se pasuritë që ka marrë Malltezi nga Samir Mane, Argita nuk i ka deklaruar në ILDKPI. “Me kontratën e shitjes nr. 644 rep nr. 370 kol datë 08.09.2014, para noteres Sonila Bejtja, shoqëria Mane TCI sh.p.k. në cilësinë e shitësit dhe shtetasi Jamarbër Malltezi në cilësinë e blerësit, lidhin një kontratë shitblerje. Sipas kësaj kontrate shitësi, pronar i pasurisë së llojit apartament me nr. 6/408+1-22 vol 40 faqa 104 ZK 8160, me sip të shfrytëzueshme 201.88 m2 me adresë rruga Dervish Hima, i pajisur me çertifikatë për vërtetim pronësie me nr. 774211 datë lëshimi 18.07.2013 i shet blerësit pronën e sapocituar në vlerën 225,745 euro. Çmimi i shitjes është likujduar tërësisht nga blerësi në llogarinë bankare të shitësit, sipas kontratës së sipërmarrjes nr. 2955 rep nr. 585 kol datë 30.03.2010 dhe pagesave vijuese gjë që vërtetohet nga mandat pagesat. Në vitin 2014, evidentohet pagesa e fundit për apartamentin e blerë në 2010 tek Ambasador 2 për marrjen e hipotekës 5,000 euro, (700,700 lekë), në llogarinë Intesa Sanpaolo 40201835102 euro për Mane TCI shpk më datë 15.04.2014. Në vitin 2014 nuk konstatohet që shtetasja Argita Malltezi të ketë bërë deklaratë për këtë pasuri”, thuhet në dosjen e SPAK.

 

 

Pagesat jashtë sistemit bankar

 

Prokurorët evidentojnë se mes Samir Manes dhe familjes “Berisha” ka patur dhe pagesa jashtë sistemit bankar. “Me kontratën e shitjes nr. 645 rep nr. 371 kol datë 08.09.2014, para noteres Sonila Bejtja, shoqëria Mane TCI i shet shtetasit Jamarbër Malltezi pasurinë e llojit garazh me nr 6/408-G52, vol 40, faqja 60, ZK 8160 me sip 14.06 m2 me adresë rruga Dervish Hima, i pajisur me certifikatë pronësie me nr. 774010 me datë lëshimi 18.07.2013 në shumën prej 12 075 euro. Çmimi i shitjes është likujduar jashtë kësaj zyre. Në vitin 2014 nuk konstatohet që shtetasja Argita Malltezi të ketë bërë deklaratë për këtë pasuri”, thuhet në dosjen 500 faqshe të SPAK.

 

Samir Mane në dosjet e Ahmetajt dhe Ilir Metës

 

Njësoj si me familjen “Berisha”, në dosjet e tjera të SPAK del se oligarku Samir Mane ka ‘mision’ të ndihmojë politikanët që të pastrojnë paratë dhe këtë e ka bërë me Arben Ahmetajn, por edhe me Metën, duke i blerë një vilë në Golem. Mane e bleu vilën me vlerë 300 mijë euro, ndërkohë që pikërisht këtë pronë Meta e kishte blerë në vitin 2003 për 60 mijë USD. Nëse Mane kërkon deklarata publike, atëherë po citojmë fjalë për fjalë Ilir Metën, i cili tha se prokuroria po heton nëse shitja e saj ka lidhje me çështjen e kompanisë telefonike, ku ai ka pasur një takim me oligarkun, në cilësinë e ministrit të ekonomisë. “SPAK është një organizatë karagjoze, do me patjetër të më krijojë një lidhje me mikun tuaj, të dashur, Samir Mane, I kërkoj falje që po i përmend emrin, Unë nuk e kam fshehur raportin miqësor që kam pasur me të, do të krijojë lidhjen se çfarë ka ndodhur me ato 300 mijë euro që është blerë shtëpia nga ana e Samirit, dhe më pas ta ka shitur ty. Unë nuk e di se pse është deklaruar në atë vit e jo në një vit tjetër. Thonë se nga një përgjim, që del se unë kam ndikuar te Pirro Xhixha, për të favorizuar Samirin për këto te telefonisë. Është rasti i Plus që 10 apo 15 pronarë shqiptarë ngrinin pretendimin se kreu i AKEP po i dëmtonte. Nuk ka qenë vetëm Samiri më takimin që unë kam zhvilluar, ka qenë Armando Duka, kanë qenë pafund pronarë. Do të nxjerrë një lidhje për një gjë që nuk ekziston”, u shpreh Meta pak kohë më parë.

 

Hetimet

 

Evidentohet qartë që kemi të bëjmë me një skemë pastrimi parash ku politika bashkëvepron ngushtë më biznesin e ‘përlyer’. Sjellim në vëmendje se në dosjen e SPAK del se Mane ka mbuluar edhe pastrimin e parave nga Arben Ahmetaj me vilën në Hamallaj dhe vilën tjetër në Palasë. Kompanitë e Manes shfaqen me rol kryesor në dosjen e SPAK-ut për hilet e ish-ministrit Arben Ahmetajt në pastrimin e parave, duke i investuar në vila pikërisht tek resortet e Samir Manes. Por jo vetëm kaq, bazuar në dosjen e SPAK-ut, punonjësit e kompanisë së Manes kanë tentuar të zhdukin provat komprometuese nga kompjuterat, me qëllim mbrojtjen e Arben Ahmetajt dhe ish-bashkëshortes së tij./sot.com.al

XS
SM
MD
LG