Edi Rama shfaqet i painformuar për ardhjen e “banorëve” të parë të kampit të Gjadrit javën e ardhshme
Si për të faktuar se qeveria shqiptare nuk do të ketë asnjë rol në hapjen dhe më pas menaxhimin e kampit te azilkërkuesve, në një intervistë për gazetën italiane “La Republika”, Edi Rama shfaqet i painformuar për ardhjen e “banorëve” të parë të kampit javën e ardhshme. Rama përsërit se gjithçka që do të ndodhë në atë kamp është përgjegjësi vetëm e autoriteteve italiane.
“Unë nuk përfaqësoj asnjë autoritet të së vërtetës për të verifikuar atë që qeveria italiane pohon për çështje që ju interesojnë juve dhe jo ne. Ndërtimi dhe menaxhimi i qendrave është diçka që nuk ka absolutisht asnjë lidhje me qeverinë shqiptare. Nuk na përket ne, nuk e di, nëse do vijnë emigrantët javën e ardhshme sepse ata do të shoqërohen nga autoritetet italiane në një vend që është nën juridiksionin italian. Si gjatë udhëtimit për në kamp, ashtu edhe gjatë qëndrimit, nuk ka asnjë ndërthurje me autoritetet tona.”
Rama mohon po ashtu të ketë djeni për ndonjë ceremoni që do organizohet për hapjen e kampit. Ndërsa nuk shfaq asnjë shqetësim për mundësinë e mosfunksionimit të paktit me homologen Meloni, pasi siç e ka shpjeguar disa herë, marrëveshja nuk parashikon që azilkërkuesit të mund të lëvizin jashtë territorit të kampit, por nëse kjo do të ndodhë, ai thotë se një plan veprimi të mirëpërcaktuar.
“Marrëveshja parashikon që emigrantët nuk mund të largohen nga kampi dhe të udhëtojnë lirshëm në Shqipëri. Nëse kjo do të ndodhte, një plan veprimi i miratuar do të vihet në lëvizje: institucionet dhe agjencitë tona të sigurisë dhe drejtësisë kanë punuar ngushtë së bashku për vite me radhë për të luftuar krimin e organizuar. Në të vërtetë, jam shumë i qetë, sepse marrëdhënia mes Italisë dhe Shqipërisë, gjatë këtyre dekadave, më ka mësuar se kur Shqipëria duhet të shqetësohet, nuk është kurrë vetëm. Falë Italisë, para së gjithash. Dhe pastaj, për ta thënë troç, kur në krye të qeverisë në Itali është dikush që insiston të përballet gjithmonë, mund të ecësh përpara me besim edhe kundër çdo fatkeqësie të papritur.”
Pas nënshkrimit të marrëveshjes në Nëntorin e vitit të shkuar, qeveria Meloni kishte deklaruar se kampi i Gjadrit do të ishte funksional që në Maj të këtij viti. I pyetur për vonesat, Rama sërish mohoi të kishte djeni për arsyet./tvklan