I vuri fla*kën ve*tes para bashkisë/ Jeta e 59-vjeçares mes varfërisë dhe vuajtjeve, çfarë e shtyu drejt veprimit ekstrem
Një 59-vjeçare e dëshpëruar nga gjendja ekonomike në të cilën ndodhet, tentoi të vetëflijohet para bashkisë së Durrësit, duke i vënë zjarrin vetes. Punonjës të policisë bashkiake dhe kalimtarë të rastit kanë ndërhyrë shpejt për të shuar zjarrin, që i ka djegur këmbët dhe një pjesë të duarve. Pas ndihmës së parë në urgjencën e spitalit të Durrësit, ajo është dërguar në Tiranë për trajtim të specializuar.
Fatime Gashi jeton mes qindra halleve, pasi vetë është e papunë, po ashtu edhe djali i saj 29-vjeçar. Po ashtu dhe i biri 29-vjeçar. E vetmja e ardhur e familjes është një pension familjar në masën e 7, 700 lekëve që merr pas vdekjes së të shoqit. Ndaj që nga viti 2021 ajo frekuentonte Qendrën Ditore të të Moshuarve që administrohet nga Bashkia e Durrësit. Por prej ditësh kjo qendër ka mbyllur dyert për të moshuarit, pasi është në procedurë tenderimi për ushqimin.
“Fatimja ka ardhur në qendrën tonë në janar të 2021-shit, ka pasur probleme ekonomike Gjatë këshillimit që ka bërë me punonjësit sociale nuk ka shprehur diçka shqetësuese, ka thënë që problemet shëndetësore i ka pasur, por nuk ka pasur problematika”, tha Megi Hasani, Drejtuese e Qendrës Ditore të të Moshuarve.
Akti i saj para ndërtesës së Bashkisë ka tronditur opinionin publik, ndërsa pensioni i vogël familjar, pamundësia për të punuar e siguruar të ardhura, si dhe mbyllja e qendrës ku ofrohet një vakt i ngrohtë ushqimi dyshohet se janë motivet që e çuan drejt aktit ekstrem.
“Përparësia siç i është dhënë do t’i jepet zonjës, do të bëjmë një mbledhje për të parë mundësitë se si mund ta ndihmojmë ta kalojë këtë situatë”, tha Hasani.
Ndërkaq policia vendore deklaroi se po heton për të përcaktuar rrethanat e kësaj ngjarjeje tragjike./oranews