Fatura e të vërtetës nga Rudina Muça
Unë, puna si gazetare dhe familja ime.
Prej gati 7 vitesh punoj si gazetare pranë Departamentit të Lajmeve në Top Channel , ku mbuloj sektorin e sigurisë ushqimore dhe Bujqësisë. Në këto vite jam përpjekur që si gazetare t’i ngjaj sime motre edhe pse ajo merrej me një tjetër sektor, atë të kronikës së zezë. Por një gjë e kemi patur të përbashkët, kurrë nuk kemi bërë kompromis para të vërtetës. Silvana është ime motër, dhe prej katër vitesh punon pranë AKVMB, si specialiste, drejtori kjo e MBZHR, në këto vite secila nga ne ka bërë punon e vet pa ndërhyrë tek njëra-tjetra. Dhe këto quhen norma, që ti nuk i njeh. Por ja që lajmi im të ka shqetësuar keqazi, Anila Denaj, ti kërkon të fajësosh time motër se përse unë kam informuar publikun se Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural nuk ka kryer vaksinën kundër Brucelozës edhe pse kjo vaksinë ka kushtuar 1.7mln euro.
AnilaDenaj po bën një sjellje të pazakonte ndaj meje si gazetare duke më më bërë presion që do më shkarkojë motrën nga puna, madje ka guxuar aq shumë sa i ka kërkuar dorëheqjen në mes të një mbledhje prej gati dhjetra personash, kështu ti kërkon që unë të hesht para këtij skandali?
E ke gabim! AnilaDenaj, dështimet e tua mos mi faturo mua, unë në këto vite kam mbyllur fabrika që prodhonin vaj ulliri të falsifikuar, kompani që tregtonin ujë me fekale, kam luftuar kundra kontrabandistëve që fusin kimikate bujqësore të rrezikshme, jam përballur me pronarët e fabrikave që përpunojnë mishin me salmonelë dhe sigurisht kam qenë përkrah çdo fermeri që do tokën dhe puth duart atij që ende rri e prodhon edhe pse është i pambështetur, edhe pse ende si ke dhënë naftën e Skemës Kombëtare, të vitit 2024, sepse ti nuk di.
Realizoj një emision po në TopChannel “ Bagëti e Bujqësi” një hapësirë televizive që i kushtohet vetëm jetës së fermerit. Ndërsa ju jeni askush para gjithë kësaj historie, jeni një ministër i radhës që çdo ditë keni ndonjë skandal të ri dhe që kërkon ta fshehësh.
Shiko unë nuk merrem me Anila Denaj, por me ministren, nuk të njoh dhe të jesh e sigurtë që kurrë s'do të ishe pjesë e jetës sime sociale sepse nuk preferoj të kem në listën time njerëz si ti të vegjel, të dështuar dhe pa norma.
AnilaDenaj e di që je mësuar që të gjithë të të bindën ashtu siç beri i afërmi yt që theu arrestin e shtëpisë për të marrë pjesë në fushatën tënde elektorale në Kuç të Vlorës. Ime motër do vazhdojë të bëjë punën e saj, ndërsa ti do të më shërbesh mua me informacion sepse ta kërkon ligji të më japësh llogari për çdo gabim në atë ministri.