"Rilindja urbane"!!/Resort gjigant 68 hektarësh poshtë Kalasë së Lëkurësit: Do e bëjë Dajlan Avdia i “APEX”
Tuesday, 05 November 2024 10:06
Saranda po përballet me planet për ndërtimin e një resorti masiv prej 68 hektarësh në zonën poshtë Kalasë së Lëkurësit, që do të shndërrojë të vetmen hapësirë të mbetur pa ndërtime në këtë qytet bregdetar.
Projekti i propozuar nga kompania TDT & Partners, në pronësi të vëllezërve Dajlan Avdia dhe Glendi Abdi, përfshin ndërtimin e mijëra vilave dhe apartamenteve, si dhe një hotel 5-yjesh me 140 dhoma.
Avdia, ish-pronari i firmës APEX dhe ndërtues i kullave pranë Sahatit të Tiranës, synon që përmes këtij projekti të ndryshojë rrënjësisht zonën, pavarësisht kundërshtimeve të forta për çështjet e pronësisë dhe ndikimit në mjedis.
Leja për zhvillimin e këtij resorti u miratua nga Këshilli Kombëtar i Territorit në korrik, megjithëse toka mbi të cilën planifikohet ndërtimi ka qenë objekt përplasjesh të shumta mes disa familjeve dhe shtetit. Pronësia e tokës kaloi në duart e familjes Tavo, falë vendimeve të diskutueshme të gjykatës që njohën pronësinë private për një hapësirë të konsideruar më parë tokë shtetërore.
Në vitin 2021, familja e politikanit Vangjel Tavo krijoi kompaninë Theap Konstruksion dhe regjistroi si kapital truallin prej 33.5 mijë metrash katrorë në Lëkurës, të cilin më pas e shiti për 3.6 milionë euro tek TDT & Partners. Vetëm pak muaj më vonë, gjatë fushatës për zgjedhjet e Himarës, Tavo u kritikua publikisht nga organizata Omonia, e cila e akuzoi për falsifikimin e dokumenteve të pronësisë dhe për shkelje të të drejtave pronësore.
Ky projekt masiv, që do të realizohet nga studioja spanjolle Bofill me mbështetjen e studios shqiptare Dalmat Architecture, nuk i ka shpëtuar kritikave për ndikimin negativ që pritet të ketë mbi zonën dhe komunitetin. Megjithëse shpallet si një projekt turistik, resorti gjigant rrezikon të zhdukë një nga hapësirat natyrore të fundit në Sarandë, duke shtuar ndërtesa të reja që do të ndryshojnë rrënjësisht strukturën urbane dhe ekologjike të qytetit bregdetar.
Investimi i përmasave të tilla është një shembull i përfshirjes së interesave të biznesit në përdorimin e tokave publike, duke anashkaluar shqetësimet e komunitetit dhe problemet e pronësisë që lidhen me të./joq