Shqipëria gjobitet rëndë nga UEFA
Federata e Futbollit e Shqipërisë do të duhet të paguajë shumën e 26 mijë e 875 eurove, për shkak të incidenteve që ndodhën në duelin Gjeorgjia – Shqipëria muajin e kaluar. Shqipëria fitoi 1:0 në stadiumin “Mikheil Meskhi” në muajin tetor, në ndeshjen e Grupit B1.
Shqipëria u gjobit për shkak të hedhjeve të sendeve në fushë nga tifozët “kuqezi” dhe për transmetimin e mesazheve josportive, ka shkruar FSHF-ja të shtunën. Në vlerën prej 6875 eurove, Shqipëria u gjobit për hedhjen e sendeve, ndërsa për shkak të transmetimit të mesazheve josportive, Shqipëria do të duhet të paguajë edhe 20 mijë euro tjera.
“Federata e Futbollit i fton tifozët të mbështesin Kombëtaren, duke krijuar një atmosferë të ngrohtë, pozitive dhe të tregojnë qytetari dhe respekt përmes një sjelljeje korrekte ndaj ekipit kundërshtar për të shmangur çdo lloj problematike që mund të dëmtojë ekipin”, ka shkruar FSHF-ja në njoftim.
Republika e Çekisë ka shtatë pikë në vendin e parë të Grupit B1 të Ligës së Kombeve, ndërsa Gjeorgjia e Shqipëria janë me gjashtë pikë në vendin e dytë e të tretë.
Ukraina është e fundit me katër pikë.
Dy ndeshjet e fundit, “kuqezinjtë” e drejtuar nga Sylvinho i zhvillojnë në “Air Albania” në Tiranë, ndaj Çekisë dhe Ukrainës./in7info