Detaje të reja nga ngjarja në Fier/ 26-vjeçari e goditi me grusht, polici e qëlloi me pistoletë
Janë mësuar detaje të reja nga ngjarja e kësaj mbrëmjeje në Fier, ku i plagosur mbeti një 26-vjeçar. Sipas informacioneve zyrtare, rreth orës 19:20, në vendin e quajtur “Ish-globi”, në qendër të këtij qyteti kanë qenë të stacionuara shërbimet e Policisë që kishin bllokuar një segment rrugor për zhvillimin e një koncerti.
Sipas policisë 26-vjeçari me iniciale D.B. duke drejtuar një automjet tip “Volkswagen” është afruar te punonjësit e Policisë dhe ka tentuar të futet në rrugën e bllokuar. Forcat e rendit thonë se punonjësit e policisë nuk e kanë lejuar të futet brenda perimetrit të sigurisë.
“Në atë momentet shtetasi D. B., ka dalë nga automjeti dhe ka qëlluar me grushte në fytyrë duke i shkaktuar dëmtime të rënda në fytyrë dhe në gojë. Inspektor Sh. J., në kushtet e vetëmbrojtjes ka qëlluar me armën e shërbimit duke e plagosur në këmbë shtetasin D. B.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit kanë ndërhyrë shërbimet e Policisë të cilët kanë dërguar menjëherë për në spital për ndihmë mjekësore shtetasin D. B., i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Ndërkohë është shoqëruar në spital për ndihmë mjeksore dhe punonjësi i Policisë, shtetasi Sh. J. dhe pas marrjes së ndihmës mjekësore është shoqëruar në Komisariatin e Policisë për veprime të mëtejshme.
Të gjitha veprimet po kryhen nga Agjensia e Mbikëqyrjes Policore në drejtimin e Prokurorisë për shmangur konfliktin e interesit. Në përfundim të veprimeve hetimore, AMP do të japë informacion të zgjeruar në lidhje me këtë ngjarje” – thuhet në njoftimin e policisë.
I riu është transportuar në spital rajonal Fier dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën, ndërsa autori është shoqëruar në komisariat. /LAPSI.al