Zbulohet në Gostivar, statuja e lashtë që ndryshon historinë, e njëjtë me ato të gjetura në Apolloni e Butrint! Profesor Përzhita: Ndodh njëherë në 100 vjet
Një statujë antike është gjetur këto ditë në fshatin Raveni, që vendoset në afërsi të Gostivarit, në Maqedoninë e Veriut. Statuja ka lartësi natyrale, pa kokën, që mungon është një metër e gjysmë e lartë dhe e punuar në një bllok të vetëm mermeri, bashkë me bazamentin. Por edhe pse thellësisht e dëmtuar nga erozioni, dhe në pjesën ballore edhe nga mjeti gërmues, ajo i ruan elementët e identifikimit.
Arkeologu i njohur, Profesor Doktor Luan Përzhita, i cili shqyrtoi me kujdes imazhet e statujës, thotë se zbulimi është i rëndësishëm.“Zbulime të tilla nuk ndodhin as njëherë në vit, as njëherë në dekadë, por duhet më tepër kohë. Kemi të bëjmë me një zbulim të madh dhe me vlera që I takojnë territorit të zonës së Gostivarit, që në lashtësi ishte pjesë e mbretërisë së Dardanisë ose më vonë dhe e provincës së Dardanisë." thotë Profesor Doktor Luan Përzhita.
Po përse një skulpturë e tillë nuk është dorëzuar pikësëpari në muzeum, përse gjendet diku në në oborrin e një banese private?
Në fakt statuja sapo është gjetur, dhe banorët – shqiptarë, autoktonë të zonës, të cilët nuk dëshirojnë të identifikohen, thonë se e kanë marrë për ta ruajtur nga dëmtimi.
Por kanë edhe një tjetër problem. Ata shfaqen të pasigurt në komunkimin me autoritetet shtetërore për shkak të historive të vjetra, të lënies pas dore nga sllavët të gjithçkaje antike që nuk ka lidhje me trashgimninë sllave.
'Kemi një ngërç e mosbesim, sepse gjithmonë është abuzuar me kulturën ilire në territorin e Maqedonisë dhe territoret e tjera. Gjithmonë është konstatuar që çfarë nuk është slave nuk është e jona dhe gjithçka është shkatërruar. Siç ndodhi me zbulimet që ndodhën në qytetin e Ohrit që u zhdukën struktura të ndryshme duke nxjerrë në pah struktura që lidheshin me ato sllavet, apo duke manipuluar me kishat paleokristiane me origjinë që vinin nga provincat e Dardanisë apo të Ilirisë duke I kthyer ata në etni sllave. Kjo ka sjellë mosbesim që seriozitetin e kërkimit shkencor në kulturën ilire" thotë profesori.
Vetëm një vit më parë, sjellja e autoriteteve të Maqedonisë së Veriut, pas gjetjes në afërsi të Shkupit të një pllake varri, ku dallohej edhe mbishkrimi DARDANUS, provokoi një valë zëmerimi ndër shqiptarët.
Edhe pse e vërteta nuk doli krejt e qartë, shqiptarët forcuan bindjen se, në Maqedoninë e Veriut, dëshmitë për të shkuarën e tyre, vijojnë të lihen në mëshirë te fatit.
Por le te kthehemi te zbulimi që Profesor Përzhita e konsideron sesancional dhe të mundohemi ti japim një përgjigje pyetjes se si ka mundësi që një skulpturë e tillë të gjendet në një zonë ku nuk njihet të ketë rrënoja të ndonjë qyteti të vjetër antik.
Statuja është gjetur në fshatin Raveni, që vendoset në perëndim të Gostivarit, në një zonë të banuar, fare pranë bregut verior të lumit Vardar.
Banorët thonë se e gjithë zona ka mbetje të vjetra, që shfaqen sa herë që ata kryejnë gërmime të ndryshme, ndërsa varrezat antike janë të shumta.
Në njërën prej tyre, që gjendet në kodrën mbi fshat, varret janë ruajtur pothuaj të paprekur. Ka shumë të ngjarë që ata ti përkasin periudhës së Mesjetës, pasi të gjithë kanë sipër nga një kryq prej guri të gdhendur.
Po kështu, në zonë gjenden edhe rrënojat e disa manastireve apo kishave të vjetra, edhe këto të pastudjuara e ndonjëherë fare pa emër.
Në lartësinë mbi fshat, mes pyllit, fshihet edhe Kalaja e Ravenit, edhe kjo e pastudjuar, megjithë disa gërmime arkeologjike të përcipta.
Ndërsa pozicioni gjeografik shfaqet interesant dhe i favorshëm për themelimin dhe zhvillimin e një vendbanimi.
Në perëndim, në fshatin fqinj Vërtok, dalin në sipërfaqe burimet e fuqishme të lumit Vardar, që kalon përmes fshatit Raveni dhe lagjes me emërtimin interesant Mirdita, ndërsa në Perëndim shtrihet pllaja, apo fushat e Gostivarit.
Por nëse qyteti antik mungon, mos kemi të bëjmë me praninë e një atelie ku dikur, në kohë të lashta, skaliteshin statujat?
Në fakt, në afërsi të Ravenit ka disa gurore ku mermeri monolit shfrytëzohet në sipërfaqe. Vëzhguar me kujdes, materiali që vjen nga këto gurore dhe që banorët e përdorin rëndom për ndërtim, është i njëjtë me atë të statujës së sapogjetur.
Por çfarë përfaqëson kjo statujë?
Sipas arkeologëve që kanë vëzhguar pamjet, statuja paraqet një njeri të veshur me TOGAT – një mantel prej leshi që përdorej së shumti nga zyrtarët dhe njerëz të tjerë të shoqërisë së lartë gjatë periudhës së Perandorisë Romake.
Kjo lloj veshje e ka origjinën nga qyetërimi etrusk, pra nisur nga vitet 700 para Krishtit, të cilët e emërtonin TEBENA.
Në të njëjtën periudhë kohore, e njëjta veshje është përdorur edhe në Greqinë e Lashtë, por me emërtimin HIMATION.
Sipas studjuesve, veshja është përdorur edhe në territoret e Ilirisë nën pushtimin Romak gjatë shekullit të parë para Krishtit dhe shekullit të parë pas Krishtit, madje statuja të këtij lloji janë gjetur në Apoloni dhe Butrint.
Për habi, statuja e njeriut me togat e gjetur rishtaz në Raveni të Gostivarit, krahasuar me të gjithë versionet e togatëve që shfaqen në internet, është e ngjashme me më tepër me togatët e gjetur në Apolloni.
Por, duke qenë se statujat e këtij lloji kanë lidhje me qytete apo qytetërime të zhvilluara, a duhet që arkeologët, pas studimit të kësaj statuje, të vendosin të kërkojnë në afërsi një qytet apo qytetërim të vjetër të fshehur dhe ende të pazbuluar?
Prof. Dr. Luan Përzhita thotë se në punimet e arkeologëve të Maqedonisë së Veriut, kjo zonë klasifikohet bosh, por nuk do të përbënte aspak habi që në afërsi të identifikohen rrënoja të një vendbanimi të lashtë.
Sipas profesorit, në këto troje, ku vendosen shqiptarët autoktonë, vitet e fundit ka një numër të shtuar zbulimesh të artifakteve që i përkasin lashtësisë.
Këto ditë shqiptarët e Ravenit duhet ta kenë dorëzuar statujën pranë autoriteteve shtetërore. Arkeologë të ndryshëm sigurisht që do të kenë një version më të qartë të autorësisë, kohës së prodhimit dhe prejardhjes së saj.
Nuk duhet të përbëjë aspak habi, që për shkak të këtij zbulimi atyre tu shtohen dyshimet për ekzistencën e rrënojave të qyteteve të lashtë, ende të pazbuluar në territorin e këtij shteti.
Hartat e vjetra janë të mbushura me emërtime ende të paidentifikuara në terren.
Po të besojmë Profesor Përzhitën, sipas të cilit zbulimi është tejet i rallë, të shpresojmë që arkeologët e Maqedonisë së Veriut dhe jo vetëm, ti kushtojnë rëndësinë e duhur dhe të mos e fshehin e harrojnë statujën në magazina.
Të paktën në Shqipëri, zbulime të ngjashme e kanë marrë vëmendjen e duhur.
Gjetja në vitin 2002, në Butrit, e një statuje ende të papërfunduar, që paraqet një njeri me togat, u kthye në sensacion mediatik duke u bërë shkak edhe për seminare shkencore me pjesëmarrje të arkeologëve nga disa shtete të Europës.
Po kështu, edhe gjetja, vite me parë, po në afërsi të Butrintit, e një figurine të vogël shahu prej fildishi, e kapërceu me shpejtësi interesin lokal të arkeologëve dhe historianëve. /reporttv