Ujësjellësit, depo punësimesh, histori që nuk po ndryshon
Në nëntor të vitit 2022, Investigative Network Albanian, publikoi shkrimin me titullin ”Ujësjellësit, depo punësimesh, administrate u shtua me 71%”. Në këtë shkrim përshkruhej fakti se këto shoqëri, që në thelb të tyre kanë ofrimin e një shërbimi që përbën edhe një të drejtë themelore të njeriut, ujin e pijshëm, ishin shndërruar në vende punësimi, ku emërimet politike kishin ndikuar në situatën aktuale prej dekadash.
Ky keqmenaxhim ka çuar, ndër të tjera, në një situatë ku në zona të cilat para viteve 90-të kishin furnizim me ujë 24 orë, në 2022, ky shërbim ishte pothuajse inekzistent. Por, problem themelor ishte dhe fakti që 64.8% e ujit të prodhuara nga shoqëritë e ujësjellësve nuk faturohej, ose si njihet në gjuhën e sektorit, “Ujë pa të Ardhura”. Kjo, pasi një pjesë e konsiderueshme e ujit që prodhohej humbiste si pasojë e amortizimit të rrjetit, ndërkohë që një pjesë vidhej nga ndërhyrjet e paligjshme, por edhe nga faturimi afrofe. Gjatë viti 2021, 58 shoqëri të ujësjellësit në vend prodhuan në total 311.2 milionë m3 ujë, por faturuan vetëm 35.2% të tij.
2024, çfarë ka ndryshuar?
Ndërsa uji pa të ardhura për vitin 2022 ishte në nivelin e 63.7%, në 2023 sipas Raportit të Performancës së Entit Rregullator të Ujit, kjo shifër është rritur duke shkuar në 64.7%, përqindje kjo shumë larg asaj të pranuar dhe të konsideruar si performancë e mirë nga ERRU, prej 30%.
“Treguesit e Uji Pa të Ardhura dhe Mbulimi i Furnizimit me Ujë, kanë një tendencë të vogël në rënie, kjo vjen si rezultat i pasaktësive në raportimet e vitit 2022 nga ish shoqëritë UK individuale dhe rritjen e përgjegjësisë nga ana e shoqërive UK për raportime të sakta”, thuhet në raportin e ERRU, i cili shton se raportimi i saktë i të dhënave është një nga kërkesat e vazhdueshme të Entit Rregullator te Ujit, duke ngritur dyshime të forta për saktësinë e të dhënave që publikohen.
Në 2022, një reformë nisi në sektorin ujëjsellës, e parë si një nevojë për rritjen e performancës së këtij të fundit, ku nga 58 shoqëri që ishin në 2021, u bashkuan në nivel rajonal duke u shndërruar në 14 shoqëri rajonale, ndërsa Tirana, Kamza dhe Vora vijojnë ende nën skemën e vjetër.
Sipas ERRU, për vitin 2023 u realizuan 10 395 milionë lekë të ardhura nga aktiviteti i shoqërive UK, të cilat krahasuar me një vit më parë ëahtë rritur me 104.2 milionë lekë.
“Në sektor janë 6 shoqëri nga 17 shoqëri që operojnë në të gjithë vendin, të cilat i mbulojnë mbi 100% Kostot e O&M. Niveli i mbulimit të kostove të O&M, krahasuar me vitin e mëparshëm ka pësuar rritje për të gjithë sektorin duke arritur nivelin e 100.5% me të ardhurat nga aktiviteti pa përfshirë subvencionet”, thotë ERRU në raportin e saj zyrtar të 2023, duke shtuar se në sektor janë akoma 11 shoqëri UK që nuk mbulojnë kosotot operacionale dhe që janë subvecionuar nga qeveria.
Sipas të dhënave zyrtare për vitin 2023, kostot e punës në sektoin ujësjellës zënë 54% të totalit të kostove operative, ku treguesi i efiçencës së stafit është 4.56 punonjës për 1000 lidhje të Ujësjellës kanalizimeve në rang kombëtar.
“Edhe pse i përmirësuar për vitin 2023, ka mjaft hapësirë për reduktimin e tij nga punonjësit e tepër në numër dhe pozicione të pajustifikuara”, thotë ERRU.
Me nisjen e reformës së sektorit të Ujësjellësave në vend, me qëllimin e kthimit të këtyre shoqërive në ente të vetqendrushme, dryshimeve iu nënshtruan edhe burimet njerëzore të këtyre shoqërive.
Punësime politike, ende pjesë e sektorit
Punësimet politike në shoqëritë e Ujësjellës- Kanalizimeve në vend, u shndërruan në një problem aq të madh, saqë në 2021 qeveria vendosi të ndërhyjë.
Në 29 tetor 2021, Kryeministri Rama u shpreh se : “Do krijojmë sinergji të reja dhe do nxjerrim nga duart e politikës punësimet në ujësjellës dhe për këtë do kërkojmë ndihmën e partnerëve tanë që të jenë monitorë të burimeve tona njerëzore sepse kanë investuar energji, kohë e para. Duhet të jemi të treja palët aleatë për një ndryshim radikal në këtë drejtim që duhet të filloj nga vetja juaj të dashur kryetarë të bashkive. Duhet të thoni mjaft, duhet të nisë kapitull të ri.”.
Dy vite pas deklartës të bërë nga numri një i qeverisë në një mbledhje me kryebashkiakët, duket se situata nuk ka ndryshuar shumë.
“Këta shtojnë e shtojnë e shtojnë, ndërkohë që bota ka disa tregues performance që janë një 250, ndërmjet të cilëve është edhe numri I punonjësve për 1000 lidhje. Në Gjermani, kemi parë që ishin rreth 50 mijë abonentë në një sistem ujësjellësi dhe punonin vetëm 2 veta”, shprehet Pirro Cenko, Inxhinier Hidroteknik, me një përvojë jo vetëm në Shqipëri në shoqëritë UK, por edhe jashtë vendit, i cili thekson se sistemi ka nevojë për automatizim.
“Arsyeja që ne kemi kaq shumë punonjës është arsye politike dhe nepotizëm, sepse në fund të fundit shtetit ato i kanë ngelur si ndërrmarrje që mund të abuzojë”, thotë inxhinieri hidroteknik.
Vetë Enti Rregullator i Ujit e pranon këtë fakt në raportin e tij të fundit në sektorin e “Efiçenës së Stafit”, në të cilin nënvizohet se efikasiteti i stafit nënkupton që shoqëritë të mos kenë njerëz në organikën e tyre, që nuk justifikojnë pozicionin e punës.
“Kjo pjesë e stafit përveçse është jo efikase, dekurajon edhe pjesën tjetër të stafit si shembull negativ i performancës në punë. Për vitin 2023 sektori ka operuar me 213 punonjës më pak, por përsëri sektori paraqitet i mbingarkuar me staf të pajustifikuar që në mjaft raste janë të punësuar pa arsimin dhe kualifikimet përkatëse dhe bazuar në kritere partiake”, përfundon kostatimi i ERRU, duke shtuar se ka kërkuar në mënyrë të vazhdueshme që të analizohen hollësisht numri i punonjësve dhe pozicionet në organigramë, përshkrimet e punës dhe ngarkesa reale për cdo pozicion pune, veçanërisht në rastet kur shoqëritë aplikojnë për nivel të ri tarifor. Megjithatë, sektori vazhdon të jetë i mbingarkuar me staf të pajustifikuar.
Kjo ngarkesë me punonjës, sipas zotit Cenko, është e ulshme nëpërmejt automatizimit, i cili sipas tij ka një kosto të ulët investimi, i cili kthehet shumë shpejtë.
“Stacioni qëndror i pompimit, ku të gjitha pompat bëhen që të ndizen dhe fiken vetë në varësi të nivelit të ujit në depo, nuk kushton më shumë se sa 12 mijë euro për një paisje, dhe kjo brenda 6 muajsh nxjerr investimin, pasi bëhet edhe një kursim drastik i energjisë elektrike”, thotë ai, duke shtuar se autmoatizimi është baza.
Në vitin 2023, numri total i të punësuarve në sektorin UK ka qenë 7602 punonjës, me një renie nga viti 2022, ku në total kishte 7815 të punësuar. Nga ana tjetër, INA media ka siguruar të dhënat e numrit të punonjësve për vitin 2024, ku shihet një rritje prej 102 punonjës krahasuar me vitin 2023. Për 2024, të dhënat flasin për një shifër prej 7704 të punësuar në këtë sektor, kur nga 14 shoqëritë rajonale dhe shoqëria UK Tiranë, Kamez, Vorë, numrin më të madh të të punësuarve e ka Tirana, e ndjekur nga Durrësi.
E ndërsa sektori i ujësjellësit prej 30 vitesh ka kaluar në reforma të shtumta për t’i dhënë një zgjidhje problemeve që e kanë shoqëruar vazhdimisht, deri tani zgjidhje është gjetur për një pjesë të vogël të tyre, problemet madhore vijojnë të qëndrojnë aty, ashtu si pyetja se kur do të kemi ujë 24 orë./inaMedia