E q"ëlluan me 1 p"lumb në kokë, biznesmen i v"rarë ish-drejtor dhe baba i 2 fëmijëve
Thursday, 14 November 2024 13:12
Një ngjarje e rëndë ka tronditur kryeqytetin mbrëmjen e djeshme, ku Eduart Reçi, një biznesmen i njohur në fushën e ndërtimit u qëllua me një plumb në kokë dhe më pas ndërroi jetë në spitalin e Traumës, duke mos i shpëtuar dot plagës së rëndë.
Ngjarja ka ndodhur rreth 23:00 në rrugën “Faik Konica”, pranë Fakultetit Ekonomik, në afërsi të pallatit që Reçi kishte ndërtuar vetë. Burime nga hetimet bëjnë me dije se autorët e atentatit kanë vëzhguar me kujdes lëvizjet e biznesmenit dhe e kanë goditur sapo ai ka dalë nga hyrja e pallatit.
Policia e Tiranës ka kryer veprimet hetimore dhe ka sekuestruar pamjet nga kamerat e sigurisë të zonës, të cilat mund të ndihmojnë në identifikimin e autorëve të krimit. Ende nuk ka informacione të plota në lidhje me motivet e atentatit, por një nga pistat kryesore të hetimit është përplasja për shitblerje pronash, duke e lidhur ngjarjen me aktivitetin e biznesmenit në sektorin e pasurive të paluajtshme.
Përveç kësaj, ende nuk janë zbardhur të tjera detaje mbi autorët dhe rrethanat e ngjarjes, dyshohet se atentati ka qenë i mirëplanifikuar dhe se autori ose autorët kanë pasur njohuri të thella mbi aktivitetin e viktimës dhe janë siguruar që të godasin në një moment të përshtatshëm, kur ai ishte më i ekspozuar.
Ka dyshime se ai është qëlluar me snajper nga lartësia pasi një plumb i vetëm direkt në kokë i ka marrë jetën.
Eduart Reçi ishte një biznesmen i njohur në Tiranë, i njohur për aktivitetin e tij në ndërtim dhe sektorin e pasurive të paluajtshme, ndërkohë më herët ka qenë drejtor në institucionin e SHISH.
Familjarët e tij kanë deklaruar në polici se ai nuk kishte asnjë konflikt dhe nuk kanë dyshime te motivet e ngjarjes./JOQ