“Fëmijët duhet të jetojnë, jo të v"riten”, qytetarët protestojnë për Martinin
Thursday, 21 November 2024 12:34

Ashtu siç ishte parashikuar, që prej orës 11:00 ka nisur protesta e prindërve dhe qytetarëve pas vrasjes së 14-vjeçarit Martin Cani, pak metra larg shkollës ku mësonte. Me një pankartë të madhe ku shkruhej “Institucionet e papërgjegjshme vrasin”, prindërit nisën marshimin nga shkolla “Fan Noli” në drejtim të Ministrisë së Arsimit.
Ata cilësojnë ministren e Arsimit, Ogerta Manastirliu si fajtoren më të madhe të kësaj tragjedie pasi sipas tyre mësuesit dhe institucioni i shkollës po përdoren për qëllime politike dhe fushata zgjedhore, dhe jo për misionin që duhet të ketë.
Sipas tyre mbyllja e rrjeteve sociale, ashtu siç kryeministri Edi Rama e paralajmëroi, nuk është zgjidhje pasi shteti duhet të marrë përgjegjësinë dhe të rikthejë rendin e sigurinë në vend, që nxënësit të mos kenë frikë të shkojnë në shkollë.
Prindërit dhe qytetarët pjesëmarrës të kësaj proteste thanë:
“Kjo vrasje ka autor që duhet të mbajë përgjegjësi. Institucionet duhet të mbajnë përgjegjësi. Nuk ka asnjë komunikim zyrtar e më lën të dyshoj që oficeri i sigurisë, mësuesja, drejtoresha e shkollës, ministria e arsimit nuk e ka bërë detyrën e vet sa duhet. Qeveria që e sheh përgjegjësinë tek mbyllja e TikTokut tregon se nuk e ka bërë punën si duhet”.
Qytetarët mbajnë në duar dhe pankarta të tjera ku shkruhej ‘Dhimbja e një nëne është thirrja jonë për ndryshim” ‘Fëmijët duhet të jetojnë jo të vriten” “Në një shkollë që duhej ta mbronte, një fëmijë humbi jetën.
“Shteti të marrë përgjegjësinë për atë që nuk mundi. Ku ishte ambulanca, ku ishte policia? Po të merren masa dhe për rrjetet sociale. Unë jam mësuese vetë, jam dakord që raportimi i çdo konflikti duhet të përrcillet tek prindërit’ thotë një mësuese pjesë e marshimit./joq