Lidhje


Pedagogia e Elbasanit me SkyEcc, komunikime të vazhdueshme me bandën e Suel Çelës

Tre ditë më parë, Prokuroria e Posaçme (SPAK),  lëshoi 21 masa sigurie për goditjen e bandës së Marjus Lulajt alias Suel Çelës në Elbasan, ku 18 prej tyre ishin “arrest me burg”, një avokate “arrest në shtëpi” dhe “detyrim paraqitje” për dy gazetarë. Mbi këtë grup kriminal rëndojnë akuzat nga vrasjet tek korrupsion, e deri tek trafiku i lëndëve narkotike nga vendet e Amerikës Latine drejt vendeve të Bashkimit Europian.

 

Një prej personave të arrestuar është edhe ish-gjyqtarja e Elbasanit, Pajtime Fetahu, e cila kishte komunikime të vazhdueshme në aplikacionin e enkriptuar “Sky Ecc” me anëtarët e bandës së Suel Çelës, për të marrë një sërë vendimesh në favor të tyre, si dhe për të urdhëruar goditjen e gazetarëve që denoncojnë korrupsionin e saj.

 

Por, në dosjen e SPAK del në mjaft episode edhe vajza e Pajtime Fetahu, Megi Fetah, edhe pse ndaj saj nuk ka një masë sigurie të lëshuara nga SPAK.

 

Burime për mediat, bëjnë me dije se ajo është pedagoge me kohë të plotë në Universitetin e Elbasanit “Aleksandër Xhuvani”, ku në website-n e Universitetit, thuhet se ajo jep mësim në Fakultetin e Biznesit dhe i Drejtësisë.

Siç mund ta shihni dhe në fragmentet e mëposhtme nga dosja e SPAK, Megi Fetah, ka komunikime të vazhdueshme me shtetasin Klaus Matishi alias Klaus Çopja alias Kledjan Çopja, i përfshirë në shumë ngjarje kriminale, madje në shumicën e rasteve i drejtohet me fjalën “zemër”.

Nga komunikimet kuptohet se pedagogia 33-vjeçare Megi Fetah bën ndërmjetësen mes bandës së Suel Çelës dhe mamasë së saj, gjyqtares Pajtime Fetahu, për të marrë vendime gjyqësore në favor të grupit kriminal. Madje ka qenë Megi, ajo e cila i ka dhënë telefonin me aplikacionin e enkriptuar “Sky Ecc” mamasë së saj, Pajtime Fetah, që më pas kjo e fundit komunikon me “kokën” e grupit kriminal Suel Çelën.

Në një episod Megi Fetah dhe Klaus Matishi alias Klaus Çopja alias Kledjan Çopja, të cilët i drejtohet njëri-tjetrin me fjalën “zemër”, bisedojnë rreth një dhurate që mund t’i bëjnë Pajtime Fetahut, pas lirimit të Kelmend Xhaferrit i njohur si Kel Çami. Megi i kërkon Klausit që të mos i bëjë dhuratë, por t’i japë lekë “cash”.

Ndërsa në një komunikim tjetër, Klaus Matishi i tregon pedagoges Megi Fetah që pasi të mbyllin disa gjyqe, do të kërkojnë që të vendosin “Luanin” drejtor të spitalit të Elbasanit, pasi aty ka tendera dhe lekë, dhe sipas tij, do të kërkojnë dhe shefin e Antidrogës, që të kontrollojnë qytetin për të shitur “mall” vetëm ata dhe të bëjnë ndonjë lek çunat.

Një episod interesant është dhe momenti kur Klaus Metishi i lëvdon Megi Fetah, mamanë e saj, Pajtime Fetah, duke e konsideruar si burrnesh, teksa i shkruan se “balla na do për vota”.

Ky përbën një skandal, ku një person i cili pretendohet se arsimon studentët, mban komunikime të vazhdueshme me anëtarë të bandave kriminale, madje duke lënë të nënkuptohet se ka më shumë se një raport shoqëror.

Deri më tani nuk ka patur asnjë reagim nga Qeveria, si nga ish-ministrja e Arsimit, deputetja e Elbasanit, Evis Kushi, po ashtu edhe ajo aktuale Ogerta Manastirliu, për të ndërmarrë ndonjë akt për shkarkimin ose pezullimin e pedagoges Megi Fetah./B.news

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

XS
SM
MD
LG