Lidhje


Shtëpia e Bardhë: Biden e fali djalin e tij "për ta mbrojtur atë nga rivalët politikë"

Shtëpia e Bardhë ka mbrojtur idenë se presidenti amerikan Joe Biden, djalin e tij Hunter Biden që akuzohet për shmangie të taksave dhe parregullsi në posedim të armës, e fali "për ta mbrojtur atë nga rivalët politikë", transmeton Anadolu.

 

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karine Jean-Pierre iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve në lidhje me vendimin e Bidenit për amnisti përpara vizitës së tij në Angola. Duke thënë se kjo nuk është hera e parë që një president fal një anëtar të familjes, Jean-Pierre kujtoi se ish-presidenti Bill Clinton fali gjysëm-vëllain e tij Roger Clinton dhe presidenti i zgjedhur Donald Trump fali vjehrrin e vajzës së tij, Charles Kushner.

 

"Një nga arsyet pse presidenti mori këtë vendim ishte se rivalët e tij politikë nuk dukeshin se do ta linin së ndjekuri këtë gjë. Ata do të vazhdonin ta ndiqnin djalin e tij. Edhe ai këtë besonte", tha Jean-Pierre.

 

Ajo theksoi se presidenti beson se djali i tij ishte në shënjestër për arsye politike.

 

Ndryshe nga premtimi i tij i mëparshëm, Biden përdori fuqinë e tij të faljes (amnistisë) për djalin e tij Hunter Biden, duke argumentuar se ai u përpoq të mbante premtimin e tij, por se republikanët e "politizuan" procesin kundër tij.

 

- Hunter Biden akuzohet për evazion fiskal

 

Hunter Biden akuzohet nga zyra e prokurorit special David Weiss, i caktuar nga Departamenti i Drejtësisë për të hetuar akuzat kundër tij për shmangie të taksave prej 1.4 milionë dollarësh në Kaliforni.

 

Në aktakuzë thuhet se Hunter Biden i cili përballet me 9 akuza tatimore, 3 prej të cilave janë akuza të rënda, nuk ka paguar 1.4 milionë dollarë taksa federale në vitet 2017 dhe 2018 dhe ka shmangur taksat duke paraqitur deklarata mashtruese tatimore.

 

Ai akuzohet se ka shpenzuar paratë e tij për makina luksoze, drogë dhe prostituta në hotele ekstravagante, në vend që të paguante taksat në kohë. Në korrik të vitit të kaluar në lajme u raportua se Hunter Biden kishte arritur një marrëveshje me Prokurorinë në kuadër të akuzave ndaj tij, por marrëveshja nuk u arrit pasi palët nuk arritën të bien dakord për detajet.

 

Republikanët në Kongresin e SHBA-së kritikojnë Hunter Bidenin për përdorimin e pozicionit politik të babait të tij për të përfituar nga marrëdhëniet e biznesit me jashtë dhe Departamentin e Drejtësisë për ngadalësimin në mënyrë jo të përshtatshme të hetimeve për krimet tatimore kundër tij.

 

Ndërsa Hunter Biden mohoi të gjitha akuzat kundër tij.

 

Nga ana tjetër Hunter Biden më 11 qershor u shpall fajtor nga juria për 3 akuzat e paraqitura në aktakuzë, si rezultat i gjykimit në çështjen tjetër federale të ngritur kundër tij në shtetin Delaware lidhur me blerjen e paligjshme të armëve.

 

Anëtarët e jurisë e gjetën djalin e presidentit fajtor për gënjeshtër ndaj një tregtari të armëve me licencë federale, deklaratë të gabuar në mënyrën se ai nuk ishte përdorues droge në një formular aplikimi dhe posedim të armës në mënyrë të paligjshme për 11 ditë.

 

Për herë të parë në historinë e SHBA-së, djali i një presidenti në detyrë doli para një gjyqtari dhe u shpall fajtor për akuzat kundër tij./AA

XS
SM
MD
LG