Lidhje


Olta Sharra merr miliardat, fëmijëve të Elbasanit u jep copëza buke e djathi

Në maj të vitit 2022, kryeministri Edi Rama dhe ministrja e atëhershme e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu vizituan nga afër Spitalin Pediatrik të Elbasanit i cili iu nënshtrua rikonstruksionit me një vlerë prej 330 milionë Lekësh.

 

Asokohe Manastirliu tha se korpusi i Spitalit të Elbasanit është një korpus tërësisht i kompletuar për nga pikëpamja e strukturës spitalore, por edha nga pikëpamja e teknologjisë, imazherisë dhe laboratorëve, pa u ndalur fare te ushqimi që duhet të konsumojnë fëmijët e sëmurë.

 

Ky aspekt kaq i rëndësishëm në shërimin e shpejtë të fëmijëve është lënë krejtësisht në harresë dhe në mëshirë të fatit.

 

Mamaja e një fëmije të sëmurë në këtë spital, ka treguar për JOQ ALBANIA mëngjesin që të sëmurët konsumojnë në këtë spital. Ajo ka treguar se si fëmijët janë të detyruar të hanë një fetë të thatë buke, një copëz djathi të bardhë dhe një gotë plastike me qumësht, ndërkohë që "Olta Sharra" merr miliarda lekë për furnizimin me ushqim të spitalit.

 

E regjistruar si person fizik, Sharra ka përfituar Miliarda Lekë nga Buxheti i Shtetit nëpërmjet institucioneve fizike. Prej vitit 2016, subjekti “Olta Sharra” ka marrë 19 kontrata për furnizim me ushqime nga bashkitë e Elbasanit, Cërrikut dhe Librazhdit me një vlerë totale prej 117,539,778 lekësh [rreth 1 milion euro]. Ajo ka fituar gjithashtu 8 tendera vetëm në sektorin e shëndetësisë me spitalin psikiatrik “Sadik Dinçi” dhe qendrën spitalore “Xhaferr Kongoli” në Elbasan, e vetme ose si bashkim operatorësh. Në total, tenderat e spitaleve kapin vlerën e 626 milionë lekëve [5.5 milionë euro].

 

Madje në vitin 2022, kur spitali rajonal i Elbasanit i rinovoi kontratën, subjekti “Olta Sharra” ndodhej prej gjashtë muajsh nën sekuestro si një derivat i dyshuar i burimeve kriminale. Vendimi për sekuestrimin e personit fizik “Olta Sharra” u mor nga Gjykata e Elbasanit më 9 qershor 2022, si pjesë e hetimit pasuror të nisur ndaj bashkëshortit të saj, Gentian Sharra, i akuzuar për vjedhje me dhunë dhe pjesmarrje në grup të strukturuar kriminal. Vetë Sharra u arrestua në maj 2022 në kuadër të operacionit “Golden Bullet” të SPAK si pjesë e njërit prej grupeve të krimit të organizuar të denoncuara nga Nuredin Dumani – një ushtar i krimit të organizuar i kthyer në bashkëpunëtor të drejtësisë.

 

Ligji shqiptar për prokurimin publik u ndalon kompanive pjesmarrjen në tendera vetëm në rastet kur operatori ekonomik apo drejtuesit e tyre janë të dënuar me vendim të formës së prerë. Megjithatë, ekspertët thonë se përfshirja e kompanive me prejardhje kriminale në prokurimet publike i shkakton një dëm të madh zhvillimit normal të ekonomisë.

 

Dokumentet gjyqësore tregojnë se Gentian Sharra ka një skedë të pasur kriminale që daton nga viti 1999 si dhe ka qenë subjekt hetimesh për trafik të lëndëve narkotike, krime kundër personit dhe korrupsionit aktiv në zgjedhje. E megjithatë, precedentët penalë nuk e kanë penguar atë që të shtojë pasurinë e tij si dhe të zgjerojë biznesin në emër të bashkëshortes me institucionet lokale në Elbasan./joq

XS
SM
MD
LG