Lidhje


Goditën të miturin me shpulla gjatë arrestimit, pezullohen 3 efektivë në Tiranë

Një 15-vjeçar u vu në pranga nga Policia e Tiranës në zonën e Fushë-Mëzezit, ku dyshohej se po qarkullonte me armë zjarri. Në rrjete sociale qarkulloi video e arrestimit të tij ku në momentin që ai u ndalua, u godit me shpulla nga efektivët.

 

Lidhur me këtë rast ka reaguar Drejtoria Vendore e Policisë së Tiranës e cila njofton se ka pezulluar tre efektivët ndërkohë Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka urdhëruar nisjen e një hetimi disiplinor ndaj punonjësve të policisë, për shkelje të rëndë.
 

“Pasi u njohëm me një video të publikuar në rrjetin social JOQ, në të cilën shfaqen 3 punonjës policie që shkelin rregulloren e Policisë së Shtetit, gjatë veprimeve operacionale për arrestimin e një 15-vjeçari që qarkullonte me armë zjarri në Fushë-Mëzez, menjëherë janë pezulluar nga detyra 3 punonjësit e Policisë, konkretisht:

 

-Inspektor R. H., me detyrë oficer i patrullës së përgjithshme në Komisariatin e Policisë Nr.6;
-Inspektor B. A., me detyrë oficer i patrullës së përgjithshme në Komisariatin e Policisë Nr.6;
-Nënkomisar A. K., me detyrë specialist rendi në Komisariatin e Policisë Nr.6.

 

Ndërkohë Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit në zbatim të Nenit 121 të Ligjit Nr.82, viti 2024 “Per Policine e Shtetit” ka urdhëruar Drejtorinë e Standardeve Profesionale për të nisur ecurinë disiplinore ndaj punonjësve të Policisë, për shkelje të rëndë.

 

Policia e Shtetit falënderon mediat dhe qytetarët që denoncojnë rastet e abuzimit me detyrën, nga punonjësit e Policisë, dhe i fton sërish ata, që të denoncojnë çdo rast të tillë, duke iu garantuar reagim të menjëhershëm e të paanshëm”, thuhet në reagimin e Policisë së Tiranës./EN

XS
SM
MD
LG