Unaza e Madhe rrit vlerën e pronës, agjentët imobiliarë: Apartamentet deri në 300 euro më shtrenjtë
Unaza e Madhe e Tiranës, një nga veprat infrastrukturore më të rëndësishme për kryeqytetin, ka sjellë zhvillim dhe ka rritur vlerën e pronës në disa nga zonat më periferike. Në Shkozë, në Farkë, në zonën e fundit të Bulevardit të Ri dhe në Paskuqan aktualisht apartamentet po kushtojnë deri në 300 euro/metër katror më shtrenjtë.
“Pjesa më e madhe e ndryshimeve ka ndodhur në këto 6 muajt e fundit dhe sidomos tani që u mbyll i gjithë projekti. Zonat që janë prekur prej zhvillimit të Unazës së Madhe të Tiranës është zona e Paskuqanit, aty kemi nisur me çmime 750 euro dhe aktualisht flasim për 1000-1100 euro. Zona tjetër që ka pasur rritje është ajo e Farkës. Kur nisi projekti, aty ka qenë me 700 euro, tani ka shkuar me 1000 euro për metër katror. E njëjta gjë ndodh edhe në Shkozë. Zona e Farkës është më e lartë, Shkoza më pak, ndërsa Paskuqani është në trend rritjeje. Në të gjitha zonat që ka kaluar unaza ka pasur rritje çmimesh”, thotë agjenti imobiliar, Dorjan Sanxhaku
“Të interesuarit për të blerë shtëpi në zonat periferike të Tiranës janë kryesisht familjarë, ndërsa zona e qendrës është kthyer në një mundësi investimi për biznes. “Ka kërkesë të vazhdueshme sepse aktualisht është e vetmja zonë në Tiranë, më afër me qytetin që mund të blesh apartamente më pak se 100 mijë euro për apartament. Ka shumë klientë që blejnë një apartament për fëmijët e tyre në Tiranë për ta pasur për periudhën e shkollës. Ka familje të reja që kanë një buxhet të përcaktuar që zgjedhin periferinë e Tiranës sepse aty është mundësia për të blerë. Nëse afrohemi më në qendër të Tiranës, çmimet ndryshojnë dhe qëllimi është kryesisht për investim. Vetëm zona e unazës së vogël të Tiranës po kthehet në apartamente për investime në booking dhe Airbnb”, thotë agjenti imobiliar Erion Alimema.
Sipas agjentëve imobiliarë, fluksi më i madh i ndërtimeve aktualisht është përqendruar në pjesën fundore të Bulevardit të Ri dhe në Paskuqan, kur edhe interesi për të blerë është më i lartë./vizionplus.tv