Lidhje


Aeroporti i Vlorës, një frymëmarrje ekonomike e nevojshme, Albcontrol nis rekrutimet për stafin e nevojshëm

Aeroporti Ndërkombëtar i Vlorës që pritet të përfundojë në fund të këtij viti dhe të hyjë në operim vitin e ardhshëm ka shtruar nevojën për përgatitjen e stafit të nevojshëm edhe nga kompanitë shtetërore të lidhura me aviacionin. Albcontol e cila ka në thelb menaxhimin dhe kontrollin  hapësirën ajrore Shqiptare (FIR), sipas standardeve ndërkombëtare të lundrimit ajror njoftoi se fundmi mbi rekrutimet e nevojshme për të plotësuar stafin si rrjedhojë e shtimit të numrit të aeroporteve në vend.

 

 

Konkretisht sa i takon Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës Albcontol njoftoi për plotësimin e vendeve me 6 inxhinierë, 7 specialistë ARO dhe 7 vrojtues  METEO  ku si kushte kryesore është diploma e nivelit të parë në shkenca inxhinierike, inxhinieri elektronike, telekomunikacioni, shkenca kompjuterike, TIK, informatikë, Matematikë, Fizikë, dhe Shkenca natyrore po kështu si kusht i dytë gjuha angleze. Rekrutimet do të mbeten të hapura deri në fund të këtij muaji.

 

 

Ecuria e punimeve në VIA

 

 

Gjatë një analize vjetore Ministria e Energjisë dhe Infrastrukturës dha detaje edhe mbi ecurinë e aeroportit të Vlorës vetëm një ditë më parë.

 
 

“Jemi duke pritur përfundimin e Vlorës, një aeroport që është në 32 për qind të totalit të punimeve por ato pjesë që janë më të rëndësishme dhe mbajnë volumin më të madh kanë ecuri shumë më të lartë se ecuria e përgjithshme. Ne synojmë në dhjetor 2024 ta kemi dorëzuar aeroportin e Vlorës duke i dhënë mundësi Autoritetit të Aviacionit, koncesionarit dhe operatorit që është aeroporti i Mynihut të nisin operimet në hije për të kolauduar çdo procedure dhe pajisje të navigimit me shpresë që në pranverë 2025 të kemi fluturimet e para nga Vlora që nuk është aeroport sezonal por ndërkombëtar” tha ministrja.

 

 

Koncesioni

 

 

Në fillim të vitit 2021 qeveria shpalli fituesin për koncesionin e Aeroportit të Vlorës me një ofertë investimi 103 milionë euro ku bënin pjesë dy kompani Mabco Constructions SA e investitorit Behgjet Pacolli dhe ortaku turk YDA Insaat Sanayi ve Ticaret. Në dhjetor të 2022-it Mabco mori kontrollin e plotë të aksioneve. Qeveria ka aplikuar për këtë projekt garantimin e trafikut të munguar.

 

 

Sipas dokumenteve të bëra publike në atë kohë të ardhurat e garantuara në skenarin bazë për 10 vitet e para të operimit parashikohen 9.6 milionë euro në vitin e katërt, 10.3 në vitin e pestë, 11.2 për të gjashtë, 12.1 për të shtatë e kështu me radhë me një kulmim prej 18.6 milion euro në vitin e trembëdhjetë nga nënshkrimi i kontratës.

 

 

Në total të ardhurat e garantuara duhet te jenë rreth 138 milionë euro. Kontrata parashikon që aeroporti të përfundojë në vitin 2024./Monitor

XS
SM
MD
LG