Lala: Safet Bajri e zhveshi lakuriq Policinë e Shtetit. Çfarë bën ende në detyrë Ilir Proda?

Klodiana Lala reagoi ashpër në studion e emisionit “Të Paekspozuarit” në MCN TV për mosreagimin e Policisë së Shtetit ndaj Safet Bajrit, i dyshuar si i pranishëm në një ngjarje kriminale.
Sipas saj, ndonëse prokuroria kërkonte shoqërimin e tij për t’i marrë ADN-në dhe policia nuk e kapte, Bajri dilte në televizion për të folur për pafajësinë e vet. Lala e quajti këtë dorëzim të Policisë së Shtetit.
“Prokuroria e Posaçme ka bashkuar në një të vetme disa dosje të rënda penale në Shkodër, pas ngjarjes së ndodhur në 30 tetor 2024, ku u vranë 4 persona: Hamza Lici, Arlind Bushati dhe bashkëshortët Flutura dhe Bashkim Basha, që ishin rastësisht aty.
Ka dyshime të arsyeshme që grupi i Izmir Sakicës, me Eljon Haton, persona të tjerë dhe në bashkëpunim me Bajrat dyshohet se janë autorë të masakrës.
Izmir Sakica dhe Samuel Troshani, kur ra heshtja për masakrën e Dobraçit, u vetëdorëzuan në polici, duke deklaruar se nuk kishin asnjë lidhje me këtë ngjarje.
Prokuroria nuk ka firmosur ndaj tyre një urdhër-arrest për masakrën e Dobraçit.
Janë formosur 4 urdhër arreste për një atentat të dështuar në Rranxa të Bushatit nga Sakica dhe Troshani, prokuroria thotë se ka qenë i pranishëm edhe Safet Bajri dhe është firmosur një kontroll banese për të.
Dy grupet Bajri dhe Lici janë shumë të rrezikshme. Gjykata e Posaçme ka urdhëruar që Safet Bajri të shoqërohet për t’iu marrë ADN-ja, sepse një profil ADN -je dyshohet se i përket atij, ndaj është kërkuar krahasimi.
Ishte një poshtërim që Safet Bajri i bëri Policisë së Shtetit dhe ajo është një polici lakuriqe. Policia e Shtetit thotë se nuk e gjen dot që ta marrë dhe të zbatojë vendimin e gjykatës dhe bën karshillëk në studiot televizive. Nuk e di se ku po shkon ky vend.
Safet Bajri është kreu i një organizate kriminale në Belgjikë, që i kanë thyer një vajze legenin të cilën e nxirrnin të prostituonte, sepse vajza nuk u dorëzoi paratë për ditëlindje./tpz
Dhe tani del Safet Bajri që falënderon policinë. Unë e kam me policinë, se ai është në të drejtën e vet të dalë dhe të japë intervista. Për sa kohë që shteti fle gjumë në rregull është ai.
Kur nisi operacioni për arrestimin e personave për ngjarjen e Rranxës, nuk kishte karroatrec nga Lezha dhe Shkodra, sepse nuk pranonin të hynin në Dobraç. Ka pritur RENEA 2 orë e gjysmë që të shkonte karrotreci, se dy të tillë ka policia e Tiranës dhe njëri ishte prishur dhe tjetri nuk gjendej shoferi. Dhe nuk e kuptoj se çfarë bën Ilir Proda, me çfarë morali rri në krye të Policisë së Shtetit?”- tha Lala.