SPAK godet “Bajrat”, krahun e armatosur të PS në Shkodër

Meqënëse të mërkurën në mbrëmje, iu prezantua shqiptarëve si një i ftuar në studion e Top Story në ekranin e Top Channel, ndërkohë që duhej të ishte në qelitë e paraburgimit, forcat RENEA i dhuruan Safet Bajrit një prezantim tjetër tek të gjitha ekranet e televizioneve njëherësh.
Vetëm se kësaj radhe, teksa parakalonte nën objektivin e kamerave, imazhi i Safet Bajrit ishte një tjetër: me duart e prangosura nga pas dhe i shoqëruar nga dy efektivë me maska, që e mbanin nga krahët. Ndaj kur pa suprizën e hidhur në hyrjen e Drejtorisë së Policisë, Safet Bajri s’mund të bënte tjetër, veçse ta përcillte me një buzëqeshje. Foto më poshtë:
Kanë mbetur më pak se tre muaj nga dita e votimit për zgjedhjet e përgjithshme parlamentare në 11 Maj dhe urdhri i SPAK për arrestimin e Safet Bajrit, emër i njohur i botës së krimit në Shkodër, nuk është thjesht një aksion rutinë kundër krimit të organizuar, por një goditje e drejtpërdrejtë në zinxhirin e lidhjeve mes krimit dhe politikës.
Hakmarrja mes Bajrave dhe fisit Lici
SPAK pretendon se ka të dhëna që provojnë përfshirjen e Safet Bajrit, Behar Bajrit dhe mikut të tyre, Astmer Bilalit në ekzekutimin e Fatbardh Licit në Shkodër në vitin 2018.
Në njoftimin që nxorri për mediat, SPAK ka konfirmuar se autorët e dyshuar të kësaj vrasjeje janë pikërisht emrat e mësipërm.
Fatbardh Lici, i vrarë në 10 gusht 2018 është vëllai i Mustafa Licit, familja e të cilëve është përfshirë në një zinxhir vrasjesh me fisin Bajri.
Rreth një muaj para vrasjes së Fatbardh Licit, ishte gjetur i vrarë Boran Berçana dhe bashkëjetuesja e tij, Silva Ndoci në një atentat të bujshëm që sipas SPAK, dyshohet se kishte lidhje me të njëjtin konflikt. Zinxhiri i vrasjeve mes dy grupeve numëron disa të vrarë dhe e ka mbajtur Shkodrën nën terror tashmë prej vitesh.
Një goditje kundër krahut të armatosur të PS-së në Shkodër?
Izolimi i Bajrit nuk ka vetëm peshë penale, por edhe politike. Ky është edhe një sinjal që SPAK nuk kompleksohet më, për të prishur ekuilibrat mes bandave kriminale në Shkodër, pavarësisht se kujt i shërbejnë ata.
Angazhimi i grupit “Bajri” në ndihmë të Partisë Socialiste në zgjedhje, nuk është një mister. Prova më e flagrante janë filmimet që publikoi Partia Demokratike për zgjedhjet e 14 majit 2023, kur anëtarë të këtij grupi u filmuan në ditën e zgjedhjeve se si inspektonin situatën nga një qendër votimi në tjetrën, të shoqëruar me një funksionar të PS-së në Shkodër.
Mbrojtjen politike të Safet Bajrit e ka konfirmuar edhe ish-Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj. Pas një operacioni të arrestimit në vitin 2019, Xhafaj u shpreh: “Ky grup ka pasur influence shtetërore në kohëra të ndryshme ndër vite, madje edhe në polici. Në kohët e fundit ne kemi punuar shumë që t’ia heqim këtë influence”
Mbështetja e tyre për Benet Becin ishte pjesë e skemës së ndikimit të votës në këtë qark, ku grupet kriminale kanë pasur gjithmonë një rol kyç.
Pavarësisht se Safet Bajri u përpoq të mohojë çdo lidhje me PS-në, duke pretenduar se kishte pasur kontakte vetëm me Partinë Demokratike si vëzhgues zgjedhor në vitin 2013, faktet tregojnë të kundërtën. “Një herë të vetme në jetën time, në vitin 2013 kam qenë vëzhgues në krah të Bardh Spahisë në zgjedhje. Kam ik jashtë shtetit. Jam kthyer në 2017, jam liruar në 2018”, deklaroi ai së fundmi për Top Channel. Megjithatë, rrethanat flasin ndryshe: grupi Bajri ka pasur gjithnjë raporte të ngushta me segmentet lokale të PS-së, dhe ky bashkëpunim nuk ka ndodhur rastësisht.
Metamorfoza e Bajrave: Nga rruga, te pushteti
Dosja “Metamorfoza”, në bazë të së cilës janë bisedat në SKY ECC zbuloi se “Bajrat” nuk ishin thjesht një bandë rrugësh, por ata kishin mundur ta shtrirjnë pushtetin e tyre në disa prej institucioneve kryesore ligjzbatuese.
Përgjimet e SKY ECC provuan se një prej emrave të njohur të grupit Behar Bajri kishte lidhje të forta me shefa policie, prokurorë dhe biznesmenë të fuqishëm në Shkodër, që i siguronin mbrojtje dhe favore në operacionet e tyre.
Bisedat e publikuara tashmë tregojnë se krerë të policisë vendase paralajmëronin anëtarë të grupit para aksioneve, ndërsa prokurori i arrestuar, Xhevahir Lita vononte dosjet ose i manipulonte provat.
Akuzat për lidhjet mes Bajrave dhe PS nuk janë të reja. Ish-kryeministri Sali Berisha ka denoncuar për vite lidhjet mes krimit dhe pushtetit, duke theksuar se “bandat janë aleatët kryesorë të Rilindjes”. Ai ka akuzuar Bajrat si “milicë të PS-së në Shkodër”, duke pretenduar se ata garantonin vota me metoda kriminale.
Megjithatë, eksperienca e këtyre 12 viteve të fundit na ka mësuar për një rregull të pashkruar, sipas të cilit funksionon marrëdhënia mes pushtetit dhe krimit; se kur një bandë bie, një tjetër është gati për të marrë frenat e pushtetit. Arrestimi i Safet Bajrit mund të jetë lëvizja e parë e këtij mekanizmi, që ripërsëritet njësoj, nga një qytet në tjetrin./Lapsi.al