Spitali i Tropojës s'ka mjekë, pacientët drejt Gjakovës! Ministria s'plotëson kërkesat

Mungesa e mjekëve specialistë është bërë një problem shumë shqetësues në spitalet e vendit tonë, ku për shkak të kësaj situate pacientët janë të detyruar të udhëtojnë në qytete më të mëdha për të marrë shërbimin mjekësor të nevojshëm.
Një shembull i tillë është spitali i Tropojës, i cili vazhdon të ketë mungesë të mjekëve specialistë prej disa vjet, duke i detyruar banorët të udhëtojnë për vizita dhe ndërhyrje më të specializuara drejt Gjakovës.
Një i moshuar tha në një intervistë televizive: “Nuk ka mjekë në Tropojë! Ne shkojmë në Gjakovë kur jemi të sëmurë, sepse atje ka mjekë të mirë.” Një tjetër shtoi: “Po të mos ishte spitali i Gjakovës, do të vdisnim të gjithë. Për çdo gjë shkojmë atje, është më lirë dhe më mirë. Këtu nuk ka as mjekë, as shërbime.”
Drejtori i spitalit të Tropojës, Kujtim Rexha, e ka pranuar këtë situatë shqetësuese dhe ka theksuar se kanë bërë kërkesa të shumta për të siguruar mjekë specialistë nga Ministria e Shëndetësisë, por ende nuk kanë marrë një zgjidhje të problemit.
Ai shtoi se gjatë kësaj periudhe ka pasur një fluks të lartë pacientësh për shkak të virozave, ndërsa rastet më të rënda janë dërguar në Gjakovë ose Tiranë.
“Kemi bashkëpunim me spitalin e Gjakovës, ata na kanë pritur pacientët prej vitesh, pasi janë të kompletuar me staf shëndetësor. Ndërkohë, ne kemi mungesë të mjekëve specialistë, veçanërisht për kardiolog, pediatër dhe reanimator. Kërkesat tona për specialistë, sidomos për kardiolog, ende nuk janë plotësuar nga Ministria e Shëndetësisë,” tha Rexha.
Aktualisht, në spitalin e Bajram Currit punojnë 9 mjekë, nga të cilët 5 janë të përgjithshëm dhe 4 specialistë. Ky spital, i cili nuk ka staf të mjaftueshëm për të plotësuar kapacitetet, ofron shërbime për më shumë se 30 mijë banorë të Tropojës.
Për shkak të mungesës së stafit, janë të angazhuar edhe mjekë që kanë arritur moshën e pensionit. Situata kërkon reagim të menjëhershëm dhe zgjidhje nga Ministria e Shëndetësisë, për të siguruar shërbime shëndetësore sipas standarteve evropiane të pretenduara, për banorët e kësaj zone./tvanews