Koka e kujt po "gdhendet" në qendër të Tiranës?

Prej vitesh në Tiranë vetëm ndërtohet e ngrihen kulla dhjetëra kate të larta, pavarësisht se qytetarët e kanë thuajse të pamundur ta blejnë një apartament, qoftë edhe duke marrë një pjesë të parave me kredi.
Përveç ndërtesave shumëkatëshe që po i marrin frymën kryeqytetit, ku çdo ditë e më shumë po zvogëlojnë hapësirat e gjelbra, një fenomen i ri është vënë re, arkitektura!
Një ndër kullat më të pazakonta është “Tirana Rock”, kulla në qendër të Tiranës, që u tha se do t’i ngjasonte portretit të heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Ajo parashikohej të paraqiste kokën e Skënderbeut, duke parë nga sheshi që mban emrin e tij dhe në qendër ndodhet dhe përmendorja.
Arkitekti i “Kokës së betonit” Vini Mass, në një intervistë që dha për mediat e huaja pak përpara se të niste ndërtimi i godinës, tha se synimi është krijimi i kokës së Skënderbeut, dhe se idenë për këtë realizim ia kishte dhënë kryeministri Edi Rama.
Tashmë kur kanë kaluar disa vite që nga nisja e punimeve, ndërtesa po zbulohet pak e nga pak, duke nxjerrë në pah “Skënderbeun” e vërtetë! Nëse e vështron me sy të lirë, kulla të jep më shumë përfytyrimin e kokës së kryeministrit Edi Rama se sa të portretit të Skënderbeut.
Detaje si rrumbullakësia e ndërtesës në pjesën e “kokës”, “hunda” dhe “veshët” në pjesën e ballkoneve, krijojnë një imazh aspak të ngjashëm me atë të Skënderbeut, të cilin jemi mësuar ta shohim me helmetën karakterizuese e me brinjë dhie sipër kokës.
Duket se “instruksionet” që kryeministri i ka dhënë arkitektit Mass, kanë synuar më shumë realizimin e një skulpture për së gjalli të tij, se sa ndërtimin e fytyrës së Skënderbeut. Mbase kjo është një ëndërr e kryeministrit për të qenë i “pavdekshëm” ndër shekuj në qendër të vendit, pasi pushteti e ka “dehur”.
Duke parë këtë vepër madhështore, një gjë është e sigurt: Tirana ka tashmë një kandidat të fortë për çmimin “arkitektura më e neveritshme e shekullit. /Tva news