Ndryshimet e komanduara të bashkiakëve, shkelje e të drejtës së votës së qytetarit

Dorëheqjet e ditëve të fundit të bashkiakëve socialistë dhe emërimet e zëvendësuesve të tyre “të komanduar”, kanë sjellë për fat të keq eliminimin e të drejtës së popullit për zgjedhjen e drejtuesve të tyre lokalë dhe rrjedhimisht reduktim të thellë të përfaqësimit në organet drejtuese.
Këshilli i Bashkisë së Matit është mbledhur sot dhe miratoi dorëheqjen e kryebashkiakut Agron Malaj i cili do të jetë pjesë e listës për deputet në Qarkun Dibër në zgjedhjet e 11 Majit, dhe shpejt e shpejt miratoi kryetarin e ri Myslym Zeneli.
Ndërkohë në Tepelenë është komanduar nënkryetarja aktuale e bashkisë, Julinda Karteri.
Të paktën 3 bashkiakë socialistë janë dorëhequr për të kandiduar në zgjedhjet e përgjithshme të majit, dhe kjo ka bërë që ndryshimet e papritura dhe të komanduara të ngrjenë shqetësime lidhur me demokracinë lokale dhe ndikimin në të drejtën e votës së qytetarëve.
Ekspertët thonë se kjo praktikë merr më shumë rëndësi kur bashkiakët veprojnë për të siguruar ndihmën e administratës për forcimin e pozicioneve partiake, madje është një formë presioni që zvogëlon autonominë e administratës lokale.
Një tjetër aspekt është se “komandimi” i bashkiakëve nënkupton shkeljen e parimeve të autonomisë lokale. Bashkitë duhet të jenë institucione të pavarura dhe të veprojnë në interes të qytetarëve të tyre, por kur ato bëhen të varura nga udhëzimet e partive qendrore, ato humbasin besimin dhe kredibilitetin si instanca që mbrojnë interesat e publikut.
Kjo gjithashtu dëmton lidhjen mes administratës dhe qytetarëve, duke i bërë ata të ndjehen të larguar dhe të paaftë për të ndikuar në politikat që prekin jetën e tyre.
Autonomia e bashkive është e rëndësishme për ruajtjen e një shteti të drejtpërdrejtë dhe për ndihmën në zhvillimin e shoqërisë civile, por duket qartë se kjo nuk përbën rëndësi për qeverinë aktuale.