Zjarri shkrumboi fermën me 319 bagëti, dëmi deri në 100 mln lekë! Pronari: Pa ndihmën e shtetit, mbyllemi!

Një zjarr i fuqishëm ka përfshirë një stallë bagëtish në fshatin Barbullojë të Lezhës, duke shkaktuar dëme të mëdha. Ngjarja ndodhi më 19 mars 2025 në pronën e shtetasit Gjin Toma, ku flakët kanë shkrumbuar të gjithë stallën dhe rreth 319 krerë bagëti, kryesisht dele dhe qingja, të cilat ndodheshin brenda saj.
Sipas të dhënave paraprake, dyshohet se zjarri është shkaktuar nga një shkëndijë elektrike, por autoritetet po vijojnë hetimet për të përcaktuar shkaqet dhe rrethanat e sakta të incidentit. Grupi hetimor ndodhet në terren për të mbledhur prova dhe për të verifikuar nëse ka pasur faktorë të tjerë që mund të kenë ndikuar në përhapjen e flakëve.
Fermeri Gjin Toma bën të ditur se si pasojë e zjarrit kanë ngordhur 319 bagëti të imëta dhe 9 gjedhë, duke shkaktuar një dëm ekonomik që vlerësohet nga 90 deri në 100 milionë lekë të vjetra. Ai apelon për ndihmë nga autoritetet vendore, duke theksuar se zjarri mund të jetë shkaktuar nga një shkëndijë elektrike si pasojë e amortizimit të rrjetit.
“Në orën 5 të pasdites dje ka rënë zjarri këtu në fermë nga shkëndija e korrentit. Dyshoj te korrenti edhe për shkak të amortizimit. Më ka djeg 270 dele, vetëm një shpëtoi dhe 40 qingja. Gjithashtu dy lopë dhe 7 viça. Stalla është 130 metra katrorë. Kurse tjetra shpëtoi se erdhi zjarrfikësja dhe e shpëtoi stallën tjetër. Ishte era e fortë dhe prej saj. Dëmi shumë i madh është por s’kemi ç’ti bëjmë. Ne i kemi bërë të gjitha, po na ndihmoi mirë, po s’na ndihmoi s’kemi çfarë të bëjmë. Kam 12 vjet që merrem me këtë, ne NIPT e me dokumente. Po na ndihmoi shteti do i bëjmë përsëri, po nuk ndihmoi do t’i heqim edhe këto që kemi”, shprehet fermeri.
Në përpjekje për të shuar flakët, dy mjete zjarrfikëse u dërguan menjëherë në vendngjarje, por për shkak të përmasave të mëdha të zjarrit, u kërkua ndihmë edhe nga bashkitë Kurbin, Mirditë dhe Vau Dejës për mjete dhe forca shtesë. Megjithatë, pavarësisht ndërhyrjes, dëmet e shkaktuara mbetën të konsiderueshme.