Arrestohet bashkëshorti i kandidates së PD-së, Elda Hoti, pas një incidenti me sfond zgjedhor

Një ngjarje e pazakontë ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në qytetin e Rrëshenit, ku bashkëshorti i kandidates së Partisë Demokratike, Elda Hoti, është arrestuar nga Policia e Mirditës, së bashku me një tjetër shtetas.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë, Ladi Noja, 45 vjeç, dhe Amarildo Jushi, 25 vjeç, janë ndaluar në flagrancë për disa vepra penale, përfshirë "Pengim i qarkullimit të mjeteve të transportit", "Vetëgjyqësia", si dhe "Kanosja apo dhunimi ndaj pjesëmarrësve në zgjedhje".
Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e 10 majit, rreth orës 20:20, në lagjen “Donaj” të Rrëshenit. Dy të ndaluarit dyshohet se i kanë zënë rrugën një automjeti me të cilin po udhëtonin dy shtetas, me pretendimin se këta të fundit ishin të përfshirë në veprimtari të paligjshme zgjedhore, konkretisht në blerje votash.
Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se pas ndërhyrjes së shpejtë të Policisë, palët u shoqëruan për në Komisariatin e Mirditës, ku u kryen veprimet e para procedurale nën drejtimin e Prokurorisë së Lezhës.
Gjatë kontrollit në automjetet e të ndaluarve, u gjetën dhe u sekuestruan lista me të dhëna personash, që dyshohen të jenë lista zgjedhësish. Ndërkohë, në automjetin e personave të akuzuar për blerje votash, nuk u konstatua asnjë send i paligjshëm.
Po ashtu, testi i alkoolit tregoi se Ladi Nnoja kishte qenë në gjendje të dehur në momentin e ngjarjes, ndërsa drejtuesit e tjerë të mjeteve rezultuan negativë.
Ngjarja ka ngritur shqetësime në klimën elektorale të zonës, ndërsa pritet reagim nga forcat politike të përfshira. Prokuroria e Lezhës ka marrë në dorë materialet për veprime të mëtejshme./joq