Megaoperacioni i koduar "tempulli"/ Dhjetëra të arrestuar në të gjithë vendin
Një operacion antidrogë po zhvillohet në të gjithë vendin, i cili është vijimësi i megaoperacionit ‘Tempulli’. Megaoperacioni u zhvillua në zonat më të ‘nxehta’ të shpërndarësve të drogës në Tiranë, Elbasan, Durrës, Shkodër, Dibër, Gjirokastër, Fier, Vlorë dhe Berat. Mësohet se në kuadër të këtij operacioni në qytetin e Vlorës janë arrestuar 35 persona. Po ashtu, janë sekuestruar edhe doza kokaine gati për shitje. Mbi 20 persona janë arrestuar në Elbasan, në kuadër të operacioni antidrogë që është zhvilluar gjatë natës në të gjithë vendin. Mësohet se të arrestuarit janë kryesisht të rinj nga 20 deri në 30 vjeç, të cilët dyshohet se shpërndanin lëndë narkotike në shkollat e qytetit.
Numri më i lartë i të arrestuarve është në Tiranë, konkretisht 100 persona.
Megaoperacioni “Tempulli” është kryer pas një hetimi 7 mujor intensive nga Policia e Shtetit me qëllim parandalimin e shitjes së drograve pranë komuniteteve shkollore që vendosin në rrezikshmëri fëmijët dhe adoleshentët.
Nga faza e parë e këtij megaoperacionit janë arrestuar mbi 250 persona që shpërndanin lëndë narkotike kryesisht në afërsi të shkollave.
Në operacionin e nisur prej pasdites së djeshme dhe e finalizuar mëngjesin e sotëm në Korçë, janë arrestuar mbi 10 persona, ndërsa janë shoqëruar dhjetëra të tjerë. Ka qenë një hetim pro aktiv 3 mujor i Prokurorisë së Korçës në bashkëpunim me policinë, që ka rezultuar me lëshimin e urdhër-arresteve për 10 personat, si edhe shoqërime të personave të tjerë që mund të procedohen në gjendje të lirë. Nga hetimet e prokurorisë janë zbuluar prova që faktojnë se këta persona janë të përfshirë në aktivitetin e “prodhimit dhe shitjes të narkotikëve”. Mësohet se gjatë natës janë ushtruar kontrolle në mjete, banesa dhe lokale të qytetit të Korçës, por edhe të Maliqit.
Raporton Lapsi.al