Lidhje


Panik në Shqipëri: Vendi drejt rrugës për t’u “pushtuar” nga 30 milionë turistë

Pritet që numri i vizitorëve të huaj në vend të trefishohet gjatë viteve në vijim, shkruan media britanike The Express. Një vend europian mund të përballet së shpejti me një fluks të papërballueshëm turistësh që mbërrijnë në brigjet e tij.

 

Shqipëria ka përjetuar një bum të vërtetë turistik vitet e fundit, me hapje të shumta hotelesh dhe plazhet e saj me rërë që janë shndërruar në destinacione të preferuara të influencerëve në rrjetet sociale.

 

Në vitin 2015, mbi tre milionë turistë vizituan Shqipërinë. Ky numër u rrit në katër milionë në 2017 dhe në gjashtë milionë në 2019. Pas pandemisë, shifrat kanë shpërthyer, me rreth 10 milionë vizitorë të regjistruar në vitin 2023 – një rritje prej 56% krahasuar me periudhën para pandemisë.

 

Kjo e ka kthyer Shqipërinë në destinacionin me rritjen më të shpejtë turistike në Europë, ndërsa qeveria parashikon deri në 30 milionë vizitorë të huaj deri në vitin 2030.

 

Për krahasim, kjo shifër do të tejkalonte numrin e turistëve që aktualisht vizitojnë Portugalinë apo Kroacinë.

 

Në nivel global, Shqipëria renditet e treta për rritjen më të shpejtë të turizmit, pas Katarit dhe Porto Rikos.

 

Katari ka shënuar një rritje prej 89% të vizitorëve në periudhën 2019–2023, ndërsa Porto Riko 58%, pak më shumë se Shqipëria.

 

Mes investitorëve të huaj që po hyjnë në tregun turistik shqiptar janë Jared Kushner dhe bashkëshortja e tij Ivanka Trump, të cilët së fundmi kanë marrë dritën jeshile për ndërtimin e një hoteli luksoz me vlerë 1.4 miliardë dollarë në ishullin e Sazanit.

 

Megjithatë, nuk mungojnë shqetësimet. Uesli Didani nga portali lokal Saranda Web tha për The Telegraph se disa aspekte të bumit turistik po ecin me ritme më të shpejta se sa mund të përballohen.

 

Ai theksoi: “Disa projekte ndërtimi janë realizuar pa planifikim të mirëfilltë. Në zona bregdetare si Saranda, ka pasur raste të dëmtimit të mjedisit, për shkak të hedhjes së mbetjeve të ndërtimit në det.”

 

Uesli Didani shtoi se banorët vendas po mbeten gjithnjë e më shumë jashtë tregut të pronave, një tendencë e ngjashme me atë që është parë në destinacione turistike si Majorka, për shkak të ndikimit të vizitorëve të huaj.

 

“Turizmi masiv ka rritur ndjeshëm çmimet në zonat bregdetare, duke e bërë të papërballueshme qiranë dhe shërbimet për banorët,” u shpreh ai.

 

Shqipëria ka qenë prej kohësh një thesar i fshehur për turistët në Europë, duke ofruar atraksione unike si Syri i Kaltër – një burim malor natyror me bukuri mahnitëse, teleferikun Dajti Ekspres që i çon vizitorët në majë të malit, si dhe Parkun Kombëtar të Butrintit, një pasuri arkeologjike me shtresa historike që shtrihen nga periudha helenistike deri në atë bizantine.

 

Megjithatë, plazhet me rërë dhe resortet bregdetare të Shqipërisë, së bashku me temperaturat e larta gjatë verës, e bëjnë vendin një destinacion gjithnjë e më tërheqës për turistët ndërkombëtarë./Monitor

XS
SM
MD
LG