Lidhje


Zhduken 54 ton mish dhe sallam i skaduar i KMY-së / AKM nuk ka dijeni ku është groposur


Në emisionin e datës 28 dhjetor 2023,Tv Ora News, ka ngritur shqetësimin e një sasie shumë të madhe mishi dhe sallami të skaduara, të Kmy-së. Nxjerrja nga tregu dhe asgjesimi i produkteve ushqimore të cilat kanë skaduar, është një nga detyrimet kryesore që duhet të plotesojë çdo biznes. Në vijim të investigimit lidhur me produktet e skaduara Tv Ora News iu drejtua me një kërkesë për informacion KMY-së ku u parashtrohet pyetja se sa ushqime të skaduara ka asgjesuar ky subjekt nga viti 2018 deri në 2023?

 

 

Duke qenë se KMY refuzoi të na jepte informacion, të njëjtën kërkesë ia adresuam Autoritetit Kombëtar të Ushqimit dhe Agjencisë Kombëtare të Mjedisit.

 

Sipas AKU, nga viti 2018 deri në 2023 KMY ka kryer gjashtë procedura asgjesimi, ndërsa AKM në përgjigjen zyrtare na bën me dije se KMY ka kryer vetëm dy procedura asgjesimi.


Janë 4 procedura asgjesimi me sasi 54 ton, kryesisht mish dhe nënproduktet e tij që nuk dihet së ku kanë përfunduar.Kjo pasi AKM nuk ka asnjë informacion për katër asgjesimet e kryera nga viti 2019 deri në 2020 nga KMY.

 

Sipas legjislacionit në fuqi, kur kryhet një procedurë asgjesimi duhe të jenë prezent inspektorët e AKU, inpektorët e Mjedisit dhe përfaqësues së Drejtorisë së Tatimeve.

 

Inspektorët e Mjedisit pasi konstatojnë sipas listës produktet e skaduara, bëjnë verifikimin e mjetit që do t’i transportojë deri në landfill. Subjekti që bën depozitimin e mbetjeve duhet të ketë kontratë me landfillin.

 

Praktikisht janë 54 ton ushqime të skaduara të KMY-së, kryesisht mish dhe nënproduktet e tij që nuk dihet se ku kanë përfunduar, sepse AKM nuk ka asnjë informacion për 4 procedura asgjesimi nga ky subjekt.


Por skandali thellohet pasi Tv Ora News i kërkon informacion më të detajuar AKU, ku përveç procesverbaleve i kërkojmë të na vihet në dispozicion edhe lista e mallrave të skaduara bashkëlidhur çdo procesverbali.

 

Nga 6 asgjesime që ka kryer KMY, vetëm 1 procesverbal ka të bashkëlidhur listën e produkteve të skaduara.

 

AKU është institucioni që pretendohet së garanton sigurinë ushqimore, ndërkohë që janë dhjetëra ton ushqime të skaduara që nuk rezultojnë bashkëlidhur procesverbaleve të asgjesimit.

 

Ku përfunduan 54 ton mishi dhe sallam që AKU firmosi për t’i asgjesuar?

 

Nuk rezulton asnjë foto dhe video në AKM që fakton groposjen e produkteve të skaduara. Në lidhje me këtë situatë alarmante Tv Ora News ka depozituar një shkresë drejtuar kreut të AKU, Edmond Rrushi, ku i kërkojmë të vërë para përgjësisë çdo inspektor që ka kryer shkelje gjatë procedurës së asgjesimit të ushqimeve të skaduara.

 

Nga/Ora news 

 

 

XS
SM
MD
LG