"Ish demokrati i flaktë" në krye të kadastrës së Vlorës

Genc Deromemaj, ish-kreu i degës së Partisë Demokratike në Vlorë, është emëruar zyrtarisht në krye të Drejtorisë së Kadastrës së këtij qyteti bregdetar. Emërimi i tij vjen pas dorëheqjes së ish-drejtuesit Erjon Galanxhi, i cili qëndroi në detyrë vetëm për tre muaj.
Deromemaj është një figurë e njohur në politikën lokale të djathtë dhe ka një karrierë të gjatë në administratë. Ai ka qenë ndër mbështetësit e parë të Sali Berishës gjatë nisjes së foltoreve në shtator të vitit 2021, duke u rreshtuar hapur kundër Lulzim Bashës në përplasjen e brendshme që përfshiu Partinë Demokratike.
Pra me pak fjalë, Rilindja ka emëruar në krye të një prej degëve të institucioneve më të rëndësishme në vend zarin e Berishës.
Deromemaj gjithashtu mori pjesë aktive në Kuvendin e Jashtëzakonshëm të 11 dhjetorit 2021, ku u hodhën themelet e rithemelimit të PD-së nën drejtimin e Berishës.
Në vitin 2015, ai kandidoi për postin e kryetarit të Bashkisë së Vlorës përballë Dritan Lelit, por nuk arriti të fitojë. Megjithatë, ai mbetet një nga figurat më të angazhuara të PD-së në Vlorë, me një sërë funksionesh të mbajtura ndër vite në strukturat lokale të partisë./joq