Me pranga në duar, dalin përpara gjykatës CEO dhe ish-administratori i Bankers

Kanë dalë këtë të shtunë përpara Gjykatës së Shkallës së Parë në Fier, të arrestuarit në kuadër të operacionit hetimor të zhvilluar ndaj kompanisë “Bankers Petroleum”.
Prokuroria e Fierit akuzon kompaninë dhe drejtuesit e saj për disa vepra penale, përfshirë:
- “Krijim të skemave mashtruese lidhur me TVSH”
- “Fshehje të të ardhurave”
- “Pastrim të produkteve të veprës penale”
- “Shpërdorim detyre”
- “Moskryerje të detyrave nga organet tatimore”.
Hetimet e deritanishme zbulojnë se në periudhën 2004-2024, “Bankers Petroleum” ka deklaruar humbje të njëpasnjëshme, duke shmangur pagesën e taksave, ndonëse ka realizuar eksporte dhe shitje brenda vendit me një vlerë që kalon 532 miliardë lekë. Sipas organit të akuzës, kompania ka raportuar shpenzime të rreme që tejkalojnë të ardhurat, duke shkaktuar një dëm të konsiderueshëm për buxhetin e shtetit.
Në kuadër të operacionit janë kryer kontrolle në ambientet e kompanisë dhe në disa banesa private, ku janë sekuestruar dokumente dhe prova që konsiderohen kyçe për çështjen. Ndërkohë, hetimet shtrihen edhe ndaj disa individëve dhe subjekteve të tjera të dyshuara për përfshirje në skemat e mashtrimit dhe pastrimit të parave./euronews