Lidhje


Skandal në Vlorë: Shoferët e kamionëve shkulin tabelat që kufizojnë peshën

Një qytetar i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania për të denoncuar një situatë të paprecedentë që po ndodh në aksin rrugor Bestrovë-Bunavi në Vlorë. Ai ka dërguar video ku duket qartë momenti kur një person shkul një tabelë rrugore që kufizon peshën e lejuar të automjeteve në 10 ton.

 

Pamjet filmike tregojnë qartësisht si momentin e heqjes së tabelës, ashtu edhe kalimin e një mjeteve të tonazhit të rëndë në rrugën në fjalë. Sipas denoncuesit, pas këtij veprimi qëndrojnë shoferët e kamionëve dhe pronari i një pike inertesh në zonë. Ata dyshohet se po e përdorin këtë rrugë të re për t’i rënë shkurt, edhe pse kalimi i mjeteve të tonazhit të rëndë është ndaluar nga institucionet.

 

Qytetari tregon se kjo rrugë shërben për katër fshatra dhe është dëmtuar vazhdimisht nga këto mjete të rënda, duke u kthyer në problem serioz për komunitetin.

 

Sipas tij, pika e inerteve ka edhe lejen e shfrytëzimit të skaduar, dhe për të vazhduar aktivitetin e saj, individët e përfshirë po zgjedhin të heqin tabelat e vendosura nga bashkia dhe institucionet përkatëse.

 

“Përshëndetje JOQ! Shikoni se si i shkulin tabelën në rrugën Bestrovë-Bunavi. Sepse tabela shkruan 10 ton. Kush e shkul dhe pse? Shoferët e kamionëve bashkë me pronarin e pikës së inertesh. Nuk duan të kalojnë nga rruga e tyre por nga kjo që sapo është shtuar, duke dëmtuar komunitetin prej katër fshatrash. Sipas informacioneve, pikës së inerteve i ka mbaruar edhe leja e shfrytëzimit,” – shprehet qytetari.

XS
SM
MD
LG