Lidhje


Dredha ia “dredh” Ramës, bën tender për të mbuluar me disa makina me dhe’ fushën e plehrave në Vlorë?

Plehrat e qytetit të Vlorës janë bërë shpeshherë lajm, sidomos shtëllungat e tymit në çdo sezon veror.

Vend depozitimi i vjetër, në ish-fushën e aviacionit në mes të Vlorë, por edhe landfilli i Sherishtës që zgjati pafund për t’u inauguruar, me një kosto prej 25 milionë euro, e kthyen qytetin bregdetar në një landfill të madh, kosha me mbetje, zjarre.

 

Disa javë më parë ra një tjetër zjarr i madh në Vlorë, pikërisht te mbetjet ndërkohë që e gjithë Vlora u përfshi nga një amulli e madhe, teksa faji i mbeti drejtuesve të bashkisë, që në çdo sezon veror vetëm sa fërkonin sytë.

“Dushi” i ftohtë që iu bëri kryeministri i zgjoi sadopak nga gjumi, ndërkohë që e gjithë kupola drejtuese u larguan nga postet, ndërkohë që ka filluar puna për rekrutimin e drejtorëve të rinj.

 

Por, në gjithë këtë situatë, “frika” nga Bashkia e Vlorës është sërish, teksa i druhen ndonjë zjarri të mundshëm te fusha e plehrave, çka do të sillte të tjera kritika nga kryeministri drejtuar stafit të bashkisë. Por, edhe ndërtimi i landfillit në Sherishtë s’ka kënaqur ndokënd, pasi është jashtë çdo parametri.

Dhe shikoni se çfarë marifeti ka gjetur kryetari i Bashkisë së Vlorës! Për t’ia “dredhur” kryeministrit Edi Rama, Ermal Dredha ka hapur një tender për të mbushur fushën e plehrave me dhe’.

 

Në tender nuk jepen detaje se çfarë fushe do mbushet me dhe’, ajo te ish-fusha e Aviacionit apo ai i Sherishtës.

Por, ajo që vihet re është se në të dyja rastet kemi një abuzim, pasi fusha në mes të Vlorës nuk “mbulohet”, ndërsa landfilli tashmë është inauguruar dhe ka filluar funksioni, çka tregon abuzimet në ndërtimin e tij.

 

Faksimile: Njoftimi i tenderit të hapur nga Bashkia e Vlorës për mbushjen me dhe’ të fushës së plehrave

Sipas dokumenteve që disponon VoxNews, ndërmarrja publike bashkiake për Menaxhimn e Mbetjeve Urbane, Vlorë, ka hapur një tender me vlerë nën 10 mijë euro me lëndë “mbulesë ditore për landfillin”.

 

Tenderi do të zhvillohet në datën 15 korrik 2025, ndërkohë që kërohet gërmim dheu themele e plinta me ekskavator me zinxhir dhe shkarkimi me automjete.

Kërkohet gërmim me 1600 metër kub. Gjithashtu kërkohet edhe transport dheu me automjete deri në 1 kilometër për 1600 metër kub.

Nisur edhe nga objekti, gërmim dhe transport deri në 1 km, duket se dheu do të përdoret për fushën në mes të Vlorës, për të mbuluar me dhe’ një sipërfaqe të stërmadhe me mbetje, që marrin zjarr çdo sezon veror.

 

Por, t’ia “dredhësh” Ramës në këto kohë do një guxim të tepruar, teksa kryeministri në këto kohëra është në gadishmëri dhe me sytë katër.

Por, edhe nëse dheu dërgohet në Landfillin e Sherishtës që kushtoi 25 milionë euro, a nuk i ka mjetet dhe punëtorët Bashkia e Vlorës të bëjnë këto punëra?

Përse i bën me tender, kur në fakt te ndërmarrja për Menaxhimn e Mbetjeve Urbane, Vlorë, duhet të ketë qindra punonjës dhe dhjetëra mjete në dispozicion.

Duket se përtacëria e vlonjatëve i kalon çdo kufi, ku çdo gjë e kërkojnë që t’ua bëjnë të tjerët.

XS
SM
MD
LG