Lidhje


Gent Sula i Intersig ‘lavatriçe’ e Ajola Xoxës, e ndihmoi të “pastronte paratë”

Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka ngritur dyshime të forta për administratorin e “Intersig-Viena Insurance Group”, Gentian Sula, lidhur me ndihmën që ai i ka dhënë Ajola Xoxas, bashkëshortes së kryebashkiakut Erion Veliaj, për kryerjen e “pastrimit të parave”.

 

Sipas hetimeve, Gentian Sula ka ofruar një vilë në ish-Bllok, Tiranë, për përdorim pa qira, në mënyrë që Xoxa të mund të shfrytëzonte hapësirën për aktivitetin e saj të artit dhe kulturës, ndonëse vila ishte pronë e tij dhe bashkëjetueses së tij.

 

Kjo lëvizje ka ngritur shqetësime të mëdha për hetuesit, pasi Sula ka shpërfaqur një qëndrim që nuk korrespondon me aktet dokumentarë, duke i bërë ata të dyshojnë në lidhjen e tij me Xoxën dhe mundësinë e favorizimeve të tjera të mundshme. Gentian Sula, i pyetur nga prokurorët, ka shpjeguar se dhënia e vilës ishte një akt i mbështetjes për artin dhe kulturën, një politikë që pretendon të promovojë “Intersig”.

 

Megjithatë, ky version është përballur me kundërshtime, pasi vila nuk është në emër të kompanisë së sigurimeve, por e tij dhe bashkëjetueses, dhe përpara dhënies së saj “pa pagesë” ishte dhënë me qira për të përfituar shuma të konsiderueshme. Sipas Boldnews për më tepër, kur Prokuroria ka ndërmarrë një kontroll të vilës, e drejta e përdorimit pa pagesë është revokuar me një akt të shkruar, duke nxjerrë në pah natyrën fiktive të marrëveshjes.

 

Kjo ka nxitur pyetje mbi mundësinë që ky “sponsorizim” të ketë pasur qëllime të tjera përtej mbështetjes kulturore, duke e lidhur Sula-n në mënyrë të dyshimtë me interesat financiare të Ajola Xoxas dhe familjes Veliaj. Pavarësisht këtyre dyshimeve, SPAK deri tani nuk ka ngarkuar administratori i “Intersig” me ndonjë përgjegjësi ligjore, ndonëse hetimet po vazhdojnë./boldnews

XS
SM
MD
LG