Morën në postë pakon me drogë të ardhur nga SHBA, arrestohen dy të mitur në Vorë

Policia e Tiranës ka arrestuar dy shtetas të mitur 17-vjeçarë pasi janë kapur në flagrancë duke dalë nga një degë poste në Vorë, ku kishin marrë një pako të ardhur nga SHBA me 1 kg e 118 gramë kanabis sativa me përqindje të lartë THC.
Sipas njoftimit të policisë, në kuadër të operacionit policor të koduar “Pako 6”, përveç dy 17-vjeçarëce të arrestuar u shpall në kërkim një tjetër shtetas i përfshirë në këtë aktivitet, gjeneralitetet e të cilit nuk bëhen publike për shkak se hetimet vijojnë.
Ata akuzohen për trafik droge me anë të postës nga SHBA me qëllim shitjen në Shqipëri,
Gjithashtu, policia thotë se po punon edhe për identifikimin dhe kapjen e porositësve të lëndës narkotike, si dhe për dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes.
Njoftimi i policisë
“Në vijim të aksioneve të pandërprera për goditjen e rasteve të trafikimit të lëndëve narkotike të trafikuara nga jashtë vendit për shitje në tregun vendas, Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, nën drejtimin e Prokurorisë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Rinas dhe Filialin “Qendra Tranzite” të Postës Shqiptare, finalizoi operacionin e koduar “Pako 6”.
Gjatë operacionit u arrestuan në flagrancë dy 17-vjeçarë, të cilët u kapën menjëherë pasi morën në një degë postare në Vorë një pako me 1 kg e 118 gramë Cannabis Sativa me përqindje të lartë THC, të trafikuar nga SHBA me qëllim shitjen në Shqipëri.
Gjithashtu, u shpall në kërkim një tjetër shtetas i përfshirë në këtë aktivitet, gjeneralitetet e të cilit nuk bëhen publike për shkak se hetimet vijojnë.
Punohet për identifikimin dhe kapjen e porositësve të lëndës narkotike, si dhe për dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme”. thuhet në njoftim.