Lidhje


Ish-drejtori i SHISH në Berat dhe djali i tij nën akuzë për armëmbajtje, lojëra fati dhe nxjerrje sekreti shtetëror

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat ka ngritur akuza penale ndaj ish-drejtorit të SHISH-it në Berat, Aleksandër Shulla, si dhe djalit të tij, Pandeli Shulla për tre vepra të rënda: organizim të paligjshëm të lojërave të fatit, mbajtje pa leje të armëve dhe municioneve, si dhe nxjerrje të sekretit shtetëror. Hetimet nisën pas sinjalizimeve për një lokal në lagjen “30 Vjetori” që drejtohej nga Pandeli Shulla dhe ku u zbuluan pajisje të lidhura me platforma të ndaluara të lojërave të fatit.

 

Gjatë kontrolleve në banesën e Aleksandër Shulla pas largimit të tij nga detyra në nëntor 2023, u gjetën municione të padeklaruara dhe dy USB me dokumente të klasifikuara sekret, të cilat sipas Prokurorisë, përmbajnë materiale që administrohen vetëm nga SHISH dhe nuk lejohen të kopjohen. Ish-drejtori pretendoi se fishekët ishin "suvenirë", por dokumentet zyrtare e përgënjeshtruan këtë version. Prokuroria thekson se posedimi i materialeve të klasifikuara në mënyrë të paautorizuar përbën shkelje të rëndë të ligjit dhe rrezikon sigurinë kombëtare.

 

Njoftimi i prokurorisë:

 

Ish-drejtori i Shërbimit Informativ të Shtetit në Berat, shtetasi A.Sh dhe djali i tij, P.Sh. janë marrë në hetim nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat për veprat penale ‘Organizimi ose ushtrimi i veprimtarive të lojrave të fatit në kundërshtim me ligjin’, ‘Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit’ dhe ‘Tregimi i sekretit shtetëror nga personi që i është besuar’ parashikuar nga nenet 197/1, 273/3 dhe 294/1 të Kodit Penal.

 

Sipas Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Berat, nga hetimet mbi procedimin penal nr.370 të vitit 2023, pas informacioneve se në një ambient në lagjen ’30 Vjetori’ në një lokal që drejtohej nga shtetasi P.Sh., po zhvilloheshin lojëra fati, u konstatuan kompjuterat e markave të ndryshme, të ndezura dhe në ekrane shfaqen lojrat online të ngjashme me ato të Adex Casino.

 

Nga verifikimi teknik, u provua se nëpërmjet një aplikacioni apo software të instaluar në këto paisje elektronike, duke u lidhur në internet, realizoheshin lojëra fati online.

 

Gjatë hetimeve, u ushtrua kontroll i banesës së shtetasit A.Sh., babait të tij, ku u konstatuan një krëhër metalik ngjyrë bronxi me 5 fishekë, të paplasur të kalibrit 7.62 mm, një çantë dore ngjyrë të zezë brenda të cilës u gjetën 3 krehër, të mbushur secili me nga 7 fishekë të kalibrit 7.62 mm dhe dy USB me mbishkrimet “Turbox” dhe “Kingston”.

 

Ky shtetas i cili ka ushtruar detyrën si Drejtor i Shërbimit Informativ Berat, shpjegoi se, në nëntor të vitit 2023 është larguar nga detyra dhe ka dorëzuar armatimin por ka harruar të dorëzojë municionin e gjetur në banesë nga shërbimet e policisë. Ai sqaroi se, fishekët e kalibrit 7.62 janë fishek të armëve të vjetra që i ka gjetur të godina e vjetër e ShIK-ut dhe i ka marrë si suvenir dhe i ka harruar në banesë.

 

Por nga verifikimet e kryera nga prokuroria rezultoi se armatimet ishin kthyer dhe kjo provohej edhe nga fletëhyrja që ndodhet në institucion. Ndërkohë që nga verifikimet e kryera rezultoi se, dy nga materialet e ndodhura në Usb-në me emërtimin “Usb drive” janë të klasifikuara në nivelin “sekret” dhe administrohen në SHISH në kopje të vetme. Kopjimi ose shumëfishimi i tyre është i ndaluar dhe në kundërshtim me aktet që normojnë punën e SHISH.

 

Marrja e këtyre materialeve në kundërshtim me rregullat e sigurisë së informacionit të klasifikuar, që ka rezultuar me ekspozimin e pjesshëm ose tërësor, në mënyrë të paautorizuar, përbën shkelje të sigurisë së informacionit të klasifikuar.

 

Në përfundim të hetimeve paraprake, pas analizës në tërësi të të dhënave dhe provave të marra, vijmë në përfundimin se, ka të prova të mjaftueshme se të pandehurit P.Sh dhe A.Sh. kanë kryer veprat penale për të cilat akuzohen. Rezulton përfundimisht e provuar se i pandehuri A. Sh. ka qenë me detyrë punonjës i Shërbimit Informativ të Shtetit dhe ka kopjuar materiale që, sipas ligjit të njohur publikisht, përbëjnë sekret shtetëror, dhe i janë besuar për shkak të detyrës.

 

Marrja e këtyre materialeve në kundërshtim me rregullat e sigurisë së informacionit të klasifikuar, dhe përhapja e tyre në dy Usb brenda në banesën e të pandehurit, kur ai nuk ushtronte më as detyrën e punonjësit të shërbimit informativ të shtetit, që ka rezultuar me ekspozimin e pjesshëm ose tërësor, në mënyrë të paautorizuar, përbën shkelje të sigurisë së informacionit të klasifikuar./joq

 

XS
SM
MD
LG