Lidhje


I riu: Nga 500 deri në 800 €, qiratë e shtëpive në Tiranë të papërballueshme

Një qytetar ka dërguar një denoncim në redaksinë e JOQ Albania, ku ve theksin tek rritja e paarsyeshme dhe e pakontrolluar e çmimeve të qirave në Tiranë. Sipas tij, situata ka dalë jashtë çdo logjike ekonomike, duke goditur drejtpërdrejt qytetarët që punojnë dhe jetojnë përditë në kryeqytet. Ai sjell si shembull zonën e Astirit, ku një apartament nis nga 500 euro në muaj, ndërsa në “21 Dhjetor” çmimi arrin deri në 800 euro. Në zonat afër qendrës, çmimet janë edhe më të larta, shpesh herë të krahasueshme me qytete europiane me paga shumë më të larta se në vendin tonë.

 

“Përshëndetje JOQ! Çfarë po ndodh me çmimet e qirave në Tiranë? Një apartament fillon nga 500 euro në zonën e Astirit, vazhdon me 800 euro në “21 Dhjetor”, për të mos folur pastaj për zonat afër qendrës, si Pazari i Ri apo zona të tjera. Kjo situatë nuk është normale sepse një apartament 800 euro e gjen në shtetet e BE-së që kanë rroga mbi 2500 euro. Agjencitë imobiliare po i rrisin çmimet pa asnjë kriter dhe pa asnjë mbikëqyrje. Jemi një çift i ri, pa fëmijë, dhe po diskutojmë për qira sepse blerja e një apartamenti nuk është më as opsion. Duhet të rikthehet vëmendja tek populli i thjeshtë, ai që punon dhe bën Tiranën dhe gjithë qytetet e tjera të funksionojë, dhe jo tek biznesmenët apo emigrantët që e shohin realitetin nga jashtë dhe kthehen për pushime. Të lutem, shpërndaje! Duhet të ngrihemi të gjithë në protestë, sepse kjo situatë nuk është aspak normale.”, shkruan qytetari.

 

Në përfundim të mesazhit të tij, qytetari i bën thirrje institucioneve që të ndërhyjnë menjëherë dhe të vendosin rregull në këtë kaos të tregut të banesave. Ai kërkon gjithashtu që qytetarët të bashkohen dhe të ngrihen në protestë për të mbrojtur të drejtën për një jetesë dinjitoze./joq

 

 

 

XS
SM
MD
LG