Epike/“Diella” e Ramës që do të drejtojë ministrinë e tenderave, është ish zëdhënësja e Bashës

“Diella”, ministrja e Prokurimeve Publike e trumbetuar nga kryeministri Edi Rama është krijuar me imazh dhe zë të Anila Bishës, një aktore me lidhje të forta me opozitën, ish-zëdhënëse e Lulzim Bashës dhe bashkëshorte e një ish-deputeti të djathtë. Një bashkëpunim i çuditshëm ku opozita dhe mazhoranca bashkohen në botën virtuale të tenderave publik!
Ky projekt, i menaxhuar nga AKSHI, është shitur si revolucion në marrëdhëniet mes qytetarit dhe shtetit, por në realitet ngjan më shumë me një teatër kukullash ku përzgjedhja e fytyrës së ministres “AI” ngre pyetje: A është kjo një mënyrë për të maskuar mungesën e përgjegjësisë dhe transparencës, apo thjesht një shaka e madhe politike?
Ndërkohë që tenderat do të grabiten me stil, Diella do të buzëqeshë në ekran, pa u shqetësuar aspak. Vlen të theksohet se Anila Bisha në maj të vitit 2020 në fjalën e mbajtur në protestën kundër prishjes të Teatrit Kombëtar, deklaroi se ekzekutori i krimit është Erion Veliaj, pra duke shfaqur kundërshti ndaj PS, por sot mban postin e ministres së qeverisë.
A do të vazhdojë kjo ministre “pa shpirt” të jetë zëri i qeverisë, apo thjesht një eksperiment i përkohshëm për të qetësuar publikun? Ndërkohë, ne vetëm mund të pyesim, nëse politika është një lojë, çfarë roli luan teknologjia? Kush do të jetë personi që do të mbajë përgjegjësi kur avatarët ministra të jenë për SPAK?/joq