IKMT aksion në Parkun e Valbonës, do prishen 22 objekteve pa leje, banorët në lot: I ndërtuam për një copë bukë

Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit (IKMT), me mbështetjen e Policisë së Shtetit, po vijon aksionin në Parkun Kombëtar të Valbonës për prishjen e ndërtimeve të paligjshme.
Në dy ditët e fundit janë planifikuar të prishen 20 struktura prej betoni të ndërtuara pa leje. Ndryshe nga Thethi, ku pati përplasje mes banorëve dhe forcave të rendit, në Valbonë një pjesë e pronarëve të bujtinave kanë zgjedhur të bashkëpunojnë, duke bërë çmontimin e ndërtimeve.
Por reagimet e banorëve janë të ndara. Një çift thotë se bujtinën prej druri e kanë ndërtuar këtë vit dhe nga ky biznes sigurojnë të ardhurat e vetme.
“Tre fëmijë ushqeheshin aty. Djali, e reja… Për të ngrënë një copë bukë djemtë, për asgjë tjetër. Sivjet e bëmë. Këqyre tash!” tha një zonjë e përlotur.
Puna për prishjen e ndërtimeve pa leje që kanë zënë hapësirat publike po vijon në të gjithë vendin, ndërkohë që paralelisht në portalin hapësiraimepublike, janë rritur denoncimet e qytetarëve.
Një pjesë shprehen të pakënaqur, duke thënë se këto ndërtime janë investime të tyre dhe burimi kryesor i të ardhurave nga turizmi. Një grua në lot tha se bujtinat i ndërtuan për një copë bukë. “Jam me plot ilaçe, e kam shtëpinë me ujë dhe lagështirë. E kemi ndërtuar për të ngrënë një copë bukë. Fëmijët janë duke qarë... Këtë vit e bëmë, këtë vit e prishën. Të na mbysin ne nëse duan me e prish... ”, tha e moshuara mes lotësh.
Janë mbi 10 mijë raste të raportuara, ndërsa prej tyre kanë gjetur zgjidhje mbi 7 mijë raste.
Procesi i lirimit të hapësirave publike nisi në fillim të korrikut, ndërsa kryeministri Edi Rama ka deklaruar se “ofensiva” nuk do të ndalet deri sa fenomeni të zhduket./rtsh.al/