Iu shkonin në shtëpi qytetarëve, 6 agjentët e XUEX në pranga: Shpëtojnë organizatorët kryesorë

Policia dhe Prokuroria e Fierit kanë goditur një skemë piramidale online që operonte në disa qytete të Shqipërisë, duke finalizuar me arrestimin e 6 personave dhe shpalljen në kërkim të 2 të tjerëve.
Operacioni i koduar “Xuex” është shtrirë në Fier, Tiranë, Dibër, Berat dhe Gramsh pas alarmit dhe denoncimeve të vazhdueshme nga JOQ ALBANIA. Të arrestuarit janë: Arbër Çela, 38 vjeç, Emanuel Taullau, 21 vjeç, Flavio Mukaj, 23 vjeç, Marius Kodra, 28 vjeç, Brunilda Todi, 38 vjeçe dhe Brunilda Ndini, 38 vjeçe.
Sipas autoriteteve, këta individë vepronin si agjentë në terren, duke promovuar dhe rekrutuar qytetarë për të investuar në platformat mashtruese online “XUEXA” dhe “TXEX”. Qytetarëve u premtoheshin fitime të larta përmes investimeve në kriptomonedha, ndërsa udhëzimet jepeshin në grupe të mbyllura në aplikacionin “Telegram”, nga një identitet fiktiv i quajtur “Leo Smith”.
Gjatë operacionit, janë kryer 83 kontrolle ndaj personave dhe banesave, ndërsa janë sekuestruar: 50 telefona celularë, 11 kompjuterë, Hard disqe, DVR, dhe një automjet, 4.2 milion lekë, 28 mijë euro, 1750 dollarë, 340 franga dhe 6 llogari të kriptomonedhave.
Policia ka zbuluar se baza e grupit ishte një lokal në zonën e Lushnjes, nga ku koordinohej aktiviteti kriminal.
Ndërkohë që agjentët në terren janë ndaluar, organizatorët kryesorë të kësaj skeme mashtruese vijojnë të jenë në hetim dhe ende nuk janë arrestuar.
Alarmin e parë për këtë skemë piramidale e ngriti JOQ ALBANIA pas denoncimeve të vazhdueshme të shqiptarëve për funksionimin e firmave të tilla mashtruese. Pas denoncimit të njëpasnjëshme dhe me pasoja të rënda financiare për xhepat dhe familjet shqiprare, Policia e Shtetit nisi hetimet dhe u bëri apel qytetarëve të shmangin çdo investim të tillë online.
Hetimet për këtë rrjet kriminal mashtrimi vazhdojnë, ndërsa autoritetet paralajmërojnë se aksione të tjera janë në pritje, për të çmontuar tërësisht skemat piramidale që po dëmtojnë financiarisht qytetarët shqiptarë.