Lidhje


Dosja “Ahmetaj-Fezollari”/ Transferta 3 mln euro Tiranë-Vjenë, po hetohet për pastrim parash

Ish-zv.kryeministri Arben Ahmetaj thotë se Prokuroria e Posaçme ka ndërtuar një proces politik ndaj tij në rastin e hetimit të dosjes së privatizimit të ndërmarrjes publike “Buka” sha, duke deklaruar se ky qëndrim i SPAK-ut është i tillë se “ai i Madhi e ka kthyer në target”, duke lënë të kuptohet se origjina e goditjes së tij penale është kryeministri Edi Rama.

 

Ahmetaj thotë në një material dërguar medias, se atij i janë ngarkuar përgjegjësi penale që nuk i ka, ndërkohë që prokurori i çështjes, Elvin Gokaj, ka “fshehur provat përpara gjykatës për të mbrojtur personat e përfshirë në dosje, që nga telefona të caktuar t’i janë rikthyer, komunikime telefonike në këto telefona që janë fshehur, deri tek dëshmi të personave të pyetur të cilat nuk paraqiten

 

Ish-numri dy i qeverisë nuk përmend konkretisht “personat e përfshirë”, por, qartësisht, njëri prej tyre është sipërmarrësi Lirim Fezollari, personi që përfitoi nga privatizimi i aseteve të “Buka” sha dhe aktualisht ka ngritur një biznes gjigand, të njohur si “Qendra Tregtare Emerald”, në Tiranë.

 

Burime nga institucioni i Akuzës deklaruan se, jo vetëm nuk ka pasur favorizim, por SPAK-u është duke hetuar një transfertë rreth 3 milionë euro, që biznesmeni Lirim Fezollari ka kryer nga Tirana në drejtim të Vjenës.

 

Në vitin 2022, Prokuroria e Posaçme nisi hetimin ndaj Ahmetaj për procedurat e privatizimit të ndërmarrjes “Buka” sha gjatë kohës që mbante funksionin e Ministrit të Ekonomisë, ndërkohë që ndaj tij kishte nisur më herët një tjetër procedim penal për “aferën e inceneratorëve”.

 

Në dosjen “Buka” sha, Ahmetaj u vendos nën hetim për veprat penale të “Shpërdorimit të detyrës” dhe ‘Pastrimit të produkteve të veprës penale (pastrimit të parave). Në këtë hetim janë të përfshirë edhe disa persona të tjerë, mes të cilëve biznesmeni Lirim Fezollari.

 

Në mes të vitit 2025, Prokuroria e Posaçme dërgoi në gjykim dosjen ndaj Ahmetaj që lidhej me privatizimin e “Buka” sha vetëm për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”.

 

Në këtë pikë, Ahmetaj deklaroi së fundmi për mediat se prokurori tërhoqi akuzën, pasi kërkon që të favorizojë persona të tjerë.

 

Ndërkohë, burime nga SPAK-u deklaruan se pretendimet e Ahmetajt nuk qëndrojnë aspak.

 

Hetimi është kryer për dy veprat penale. Por, duke qenë se hetimit për shpërdorimin e detyrës i përfundonin afatet e parashkrimit në vitin 2025, u detyruam që, për momentin, ta dërgonim në gjyq vetëm për këtë vepër penale. Ndërkohë, është veçuar procedimi penal dhe po vijojnë hetimet për pastrimin e produkteve të veprës penale”, thonë burimet për “Boldnews.al”.

XS
SM
MD
LG