Kaosi dhe trafiku kilometrik në autostradën Tiranë-Durrës, ndërpriten punimet

Pas kaosit të krijuar ditën e djeshme në autostradën Tiranë–Durrës, ku trafiku u paralizua për orë të tëra dhe mjetet mbetën të bllokuara në radhë kilometrike, Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) ka vendosur të ndërpresë përkohësisht punimet në aksin Vorë–Ura e Dajlanit.
ARRSH thotë se ka zhvilluar një takim urgjent me Policinë Rrugore për të shqyrtuar alternativa të reja që do të lejojnë vijimin e punimeve pa shkaktuar kaos në qarkullim. Një ndër opsionet që po shqyrtohet është zhvillimi i ndërhyrjeve në asfalt gjatë fashave të caktuara orare ose gjatë orëve të natës.
Kontrata për rehabilitimin e këtij segmenti është parashikuar të zgjasë një muaj, por synimi është që punimet të përfundojnë për dy javë: një javë për çdo korsi. Megjithatë, mënyra e re e ndërhyrjes do të vendoset në ditët në vijim në bashkëpunim mes Policisë Rrugore dhe ARRSH, për të garantuar lehtësimin e trafikut në njërën prej rrugëve më të frekuentuara të vendit./joq