Bajram “Qylaxhiu” nuk paguan as detyrimet e pallatit

Një denoncim interesant ka mbërritur në redaksinë e JOQ Albania, ku një qytetar akuzon presidentin e Republikës, Bajram Begaj, se nuk ka paguar detyrimet ndaj kompleksit “Rezidenca Diell” në Qerret të Kavajës.
Sipas denoncuesit, në një listë të përpiluar ditën e djeshme nga administratori i kompleksit, ndër emrat e banorëve me detyrime të papaguara figuron edhe ai i presidentit Begaj.
Në dokumentin që disponohet nga JOQ Albania, por që nuk publikohet për arsye etike, pasi përfshin edhe shumë emra të tjerë qytetarësh, rezulton se presidenti Bajram Begaj figuron si posedues i një apartamenti në godinën B të “Rezidenca Diell” në Qerret.
Dokumenti mund t’u vihet në dispozicion organeve kompetente, në rast se ato vendosin të verifikojnë pretendimet e qytetarit dhe përmbajtjen e listës.
Denoncuesi shkruan:
“Kjo është lista e personave që nuk kanë paguar detyrimet në ‘Rezidenca Diell’ Qerret. Njëri prej tyre është edhe presidenti Bajram Begaj.”
Ironikisht, çdo qytetar me të drejtë mund të ngrejë këtë pyetje: “Nëse vetë presidenti i Republikës nuk paguan tarifat e administrimit, çfarë mund të presim nga të tjerët?”
Duket se “qyfyret me presidentë” nuk mbarojnë këtu. Kujtojmë se vetëm pak ditë më parë, opozita denoncoi se Bajram Begaj vijon të marrë rrogë si mjek në rrjetin privat “Acibadem”, edhe pse ligjërisht nuk mund të ushtrojë asnjë funksion tjetër gjatë mandatit si President.
Ndërsa para një viti, gjatë vizitës së presidentit turk Erdogan në Tiranë, Begaj u bë kryefjalë në rrjete për “lëmoshën” që i kërkoi “Erdit”, duke i thënë me përulësi se “zyrat tona janë shumë të vogla” dhe se “kishte nevojë për ndihmën e tij për të ndërtuar një ndërtesë tjetër”.
Në këtë ritëm, s’është çudi që një ditë të mësojmë se pas pallatit të ri presidencial, faturën do ta paguajë ndonjë “mik” nga Anadolli.