Ikni nga Shqipëria! Këtu, mjekët nuk të shërojnë, të poshtërojnë!
Si mund të presësh shërbim nga një mjek që, përveç konsultës, shet edhe pajisje ortopedike, proteza apo barna që vetë i rekomandon? Si mund të kesh besim te një njeri që në mëngjes punon 8 orë në shtet, dhe pasdite 8 orë të tjera në privat? Çfarë vigjilence, çfarë përqendrimi, çfarë përgjegjësie mund të ketë ai? Si mund të trajtojë me përkushtim një pacient, kur për të çdo dhimbje është thjesht një llogari që duhet mbyllur me para?
Korrupsioni në spitale nuk është më sekret. Në çdo pavijon kërkohet lekë hapur. As nuk fshihet më. Infermierët, mjekët, madje edhe personeli teknik e dinë që asgjë nuk ecën pa “nderin” nën dorë. Kjo është bërë pjesë e sistemit, pjesë e kulturës së një shëndetësie që nuk ka më as moral, as kontroll. Dhe askush nuk reagon. As SPAK, as ministria, as drejtuesit e spitaleve. Sikur ky realitet të ishte i padukshëm. Sikur qytetarët të mos përballeshin çdo ditë me të.
Në hyrje të këtij spitali, pacienti përballet me ftohtësinë e një sistemi që nuk e do. Rojet të shohin me përçmim, infermieret të flasin me ton urdhërues, ndërsa mjekët sillen sikur t’u kesh hyrë pa leje në territorin e tyre. Nuk ka një buzëqeshje, një fjalë shprese, një ndjenjë njerëzore. Dhe më e rënda është se kjo ndodh edhe kur paguan. Edhe kur jep para, përballesh me të njëjtën përbuzje. Sepse në këtë vend, edhe pagesa nuk të blen dinjitetin.
Në vend që të quhet Spitali i Traumës, duhet të quhet Trauma e Spitalit. Një institucion ku çdo ditë vdes pak nga pak besimi i njerëzve tek shteti. Një vend që nuk të shëron, por të rrënon shpirtin. Kjo nuk është më shëndetësi, është tregti me jetën e njeriut. Dhe përballë këtij realiteti, është e kotë të flasim për reforma, investime apo modernizim. Kur mungon njeriu, gjithçka tjetër është fasadë.
Shëndetësia është themeli i çdo shoqërie normale. Kur ajo bie, bie gjithçka: morali, drejtësia, politika, vetë shpresa. Dhe ne sot jemi një komb pa shpresë, sepse sistemi që duhet të na mbrojë, na vret çdo ditë me indiferencë.
Prandaj, po e them pa asnjë mëdyshje: nëse keni mundësi, ikni. Largohuni nga ky vend që nuk të ofron asgjë, përveç dhimbjes dhe poshtërimit. Sepse sot, në Shqipëri, nuk është më e vështirë të sëmuresh, por të mbijetosh në sistemin që supozohet të të shpëtojë.